15 PËR VIKEND
Overdozë futbolli
Shkruan: Luan MORINA
18 March, 2016 @20:59
1. Schalke – Monchengladbach (e premte, ora 8e30)
Një paraqitje më e mirë se javën e kaluar e Geis dhe Schopf do të ishte vitale për Schalken dhe luftën e tyre për të mbetur në luftë për Champions. Mysafirët me Granit Xhakën po kanë formë të ndryshueshme por pesë fitore në gjashtë ndeshjet e fundit kundër Schalkes i bën ata favorit jo vetëm në letër. Një ndeshje e bukur për të hapur një javë të mbushur me futboll para pushimit për kombëtaret vikendin e ardhshëm.
2. Everton – Arsenal (e shtunë, ora 15n2)
Romelu Lukaku paska qenë në radarin e Arsenalit në janar?! Sa lojtarë sillen në radarin e Arsenalit e sa vijnë nga ekipet inferiore franceze. Ky është problemi i Arsenalit – flirt me lojtarë liderë e blerje inferiore që janë tepricë e ekipeve tjera. Ky mentalitet nuk sjell titull, ngjashëm si mentaliteti se një ekip vazhdimisht mund të prodhoj talente. Everton është në formë të mirë dhe mund të rrumbullakoj një cikël xhehenemi për Arsenalin pas eliminimit nga FA Cup dhe Liga e Kampionëve. Një humbje ndaj Everton mund të shuante shpresat e fundit për titull.
3. Crystal Palace – Leicester City (e shtunë, ora 4)
Adebayor ka ringjallur sulmin shterpë të Palace. Herën e kaluar kanë humbur padrejtësisht nga gabimi i portierit rezervë dhe aktrimit të Bentekes. Shumë lehtë ekipi i Pardew mund të zhytet në luftë për mbijetesë dhe një rikthim tek pikët nevojitet sa më herët. Ndoshta edhe kundër Leicester mund të vijnë pikët e para. E për ekipin e Ranierit tani është faza kryesore e sezonit. Një fitore mund të shtonte vetëbesimin para pushimit të kombëtareve ku me plotë mëritë janë ftuar një pjesë e konsiderueshme e 11shes së parë standarde.
4. Chelsea – West Ham (e shtunë, ora 4)
Në shtypin britanik janë paraqitur fjalë për ardhjen eventuale të Lacazzete tek West Ham. Një transferim i tillë do të vendoste ‘çekanët’ në pozitë domethënëse në ligë, sidomos nëse ia arrijnë të fitojnë FA Cup apo të kualifikohen në Ligën e Kampionëve që nuk është një mision i pamundur. Kjo dhe kalimi në Stadiumin Olimpik mund të vendos West Hamin në mesin e ekipeve lidere. Këtë sezon kanë treguar se mund të luftojnë lirshëm me ekipet me renome në ligë. Fitorja në Stamford Bridge nuk do të ishte befasi. Përkundrazi është diçka shumë normale.
5. Roma – Inter (e shtunë, ora 15n9)
Hezitimi për të larguar Garcian po i kushton Romës vetëm me luftën për pozitën e tretë. Kjo luftë është pothuajse e mbyllur me ekipin e Spallettit bindshëm më mirë se Fiorentina e Interi. Një fitore që s’do të duhej të mungonte kundër Interit do të shuante shpresat e ekipit të Mancinit, i cili është një Garcia në vete për Interin. Shkarkimi i tij do të shpëtonte Interin dhe do të nxirrte një maksimum nga grumbulli i lojtarëve që kanë. Për momentin Interi ka hapësirë për të luajtur më mirë, por kjo s’po ndodh dhe s’do të ndodh me Mancinin. Roma është favorite të shtunën në mbrëmje.
6. Southampton – Liverpool (e diel, ora 2e30)
Pelle i është kthyer golave, Tadic asistimeve. Southampton fitoi bindshëm javën e kaluar, dhe dëshmuan që Mane e Wanyama nuk janë aq kritik për ekipin. Largimi i tyre dhe blerje të mençura siç bën Koeman vazhdimisht – kryesisht në Eredvisie do të vazhdojnë të mbajnë Saints në pjesën e epërme të ligës, të denjë për të mposhtur ekipet më renomenë siç është edhe Liverpool që në krahasim me lojtarët që ka po bën më shumë se që pritej. Por, Southampton është më i mirë se United me lojë këtë vit. Kanë ‘filozofi’ më të mirë.
7. Torino – Juventus (e diel, ora 3)
Derbi torinez nuk është ndër më të baraspeshuarit. Torino mund të shfrytëzoj ndoshta deri në një masë zhgënjimin e Juventusit nga eliminimi në Ligën e Kampionëve. Torino me Venturan kanë ekip mirë të komponuar. Kanë talente në çdo repart të fushës dhe luajtja me një formacion të ngjashëm me Juventusin mund tu shkaktoj probleme mysafirëve, ndoshta edhe të përfundoj serinë e pamposhtmërisë së Buffonit, edhe pse ky mbetet një mision jo i lehtë.
8. Hajduk – Dinamo Zagreb (e diel, ora 3)
Dinamo dominon futbollin kroat tashmë sa vite. Hajduku nuk është më rivali kryesor dhe kjo si pasojë e gabimeve që bëjnë me ekipe më inferiore në ligë. Ndoshta gjerësia e ekipit ndikon në këto dështime të kohëpaskohshme, por kjo nuk vërehet kur ndeshen me Dinamon apo edhe Rijekan. Hajduku në secilën ndeshje këtë sezon i ka bërë probleme Dinamos dhe do të prisja të njëjtën edhe këtë të diel.
9. Stuttgart – Leverkusen (e diel, ora 3e30)
Nëse i hedhim një listës së lojtarëve të Stuttgart mund të konkludojmë se janë shndërruar në një Bolton gjerman. Emra nga më të ndryshmit janë prezent aty, emra që nuk do të duhej të performonin ashtu siç bëjnë, por ja që po kanë rezultat. Kanë nisur për mësysh pjesën e dytë të sezonit dhe kanë treguar një seri më të mirë se Leverkusen të cilët janë më kompakt por gjithnjë fajësoj trajnerin e tyre për mossukses dhe hezitim në lojë të hapur. Nëse asgjë këto dy ekipe kur janë takuar ndërmjet vete ka pasur gola shumë. Ngjashëm do të prisja edhe këtë të diele.
10. Villarreal – Barcelona (e diel, ora 4)
Bakambu është një emër që duhet ta mbani në mend. Edhe pse mbetet në hije të legjendarit Daniele Bonera(!), ai është një nga arsyet pse Villarreal është në formë të mirë këtë sezon. Por, problemi i tyre qëndron në përballjen me ekipe të mëdha si Barcelona nga e cila kanë humbur të gjashtë ndeshjet e fundit. Të dielën Barcelona do të duhej të shënonte fitoren e 13të radhazi dhe atë me së paku dy gola diferencë.
11. PSV – Ajax (e diel, ora 15n5)
Nuk është ndër gjeneratat më të talentuara kjo e Ajaxit por meritat i takojnë Frank De Boer dhe pjesës tjetër të stafit që merret me akademinë e Ajaxit. Megjithëkëtë nuk janë ekip për tu hedhur poshtë as ndaj PSV-së së Cocut. PSV pa meritë u mënjanua nga Atletico, dhe me pak përvojë më shumë do të kishin mundur të kalonin ndoshta rrethin. Tashti të përqendruar vetëm në ligë dhe menjëherë derbi me Ajaxin do të duhej të ishte shtytje shtesë për një lojë të bukur. Futboll tipik holandez që të kënaq syrin do të duhej të shfaqej të dielën.
12. Manchester City – Manchester Utd (e diel, ora 5)
Ndeshja kryesore për pozitën e katërt në Premier League. Nëse marrim parasysh rrethanat tek City kjo pozitë, kjo gjendje do të arsyetohej disi. Por, ajo çfarë po ndodh me United është turp për ekipin më të popullarizuar anglez në botë. ‘Filozofia’ e Van Gaalit është dështim. Hezitimi për ta shkarkuar është dështim tjetër. Ekipi luan pa ide kreative, nuk ka lider në fushë, nuk ka emra në fushë, duket më keq se ekipi U21 i United. Ndërkohë City mund të arsyetohet me angazhimin në Ligën e Kampionëve për mossukses eventual në ligë. Tani Guardiola dëshiron të largoj edhe Kompanyn derisa dihet që Yaya do të ikën. Bash më intereson të shoh se çfarë do të bëjnë vitin e ardhshëm. E haram i qoftë Pellegrinit që nuk i lë në Europa League!
13. Galatasaray – Fenerbahce (e diel, ora 7)
Gallatën nuk e kam parë më keq që nga koha e revolucionit të dështuar të Terimit për largimin e pleqnarëve duke angazhuar Omer Erdoganin dhe Orhan Ak në mbrojtje. Largimi i Aysalit ka qenë gabimi i parë. vendosja e Prandellit e Mancinit ka qenë gabimi i dytë. Largimi i Hamzaoglus ka qenë gabimi më i madh. I tërë faji qëndron tek kryesia dhe kjo duhet të ecën sa më herët aq më mirë. Fenerbahce nuk janë të bërë për Evropë dhe kurrë s’do të jenë me këto filozofi. Po ndjekin metodën e Galatasaray të Aysalit, angazhimi i yjeve me renome që më shumë kanë efekt marketingu se efekt sportiv. Ato çfarë ndodhën në Braga janë turp për disa lojtarë që kanë aty. Fenerbahce duhet të fitoj lehtë në Telekom Arena të dielën. Galatasaray vetëm mund të ndihmoj Besiktasin për të ruajtur ekskluzivitetin e yllit të katërt.
14. Real Madrid – Sevilla (e diel, ora 8e30)
Sevilla ka vite që nuk ka fituar në Bernabeu. Angazhimi dhe paraqitja e tyre dominuese ndaj Basel mund të ketë shpenzuar energjinë tek ekipi i Emeryt për të cilin ekip e vetmja rrugë për në Ligën e Kampionëve duket se ka mbetur Europa League. Reali i Zidane po tregon dy fytyra. Në disa lojë po dominon kundërshtarët, në disa lojë po vuan për të shënuar. Cilin Real do ta shohim ndaj Sevillës mbetet mister, veç ajo që dihet është se Sevilla nuk ka frikë të konkurroj me Realin.
15. Milan – Lazio (e diel, ora 15n9)
Asgjë më shumë se Berlusconi nuk po lëndon Milanin për momentin. Duket qartazi që Mihajlovic do të largohet në fund të sezonit dhe atë ndoshta edhe pa pikë faji. Milanit çfarë i duhet është një trajner rigoroz që do të menaxhonte lojtarët më shumë se sa të bënte një strategji loje. Mihajlovic është ai, por siç duket i ka ditët e numëruara. Me këta lojtarë askush s’do të mund të bënte më shumë. Më i keq se Berlusconi mund të jetë vetëm Lotito (Zamparini është më i keqi!). Lazio është ekip që ka lojtarë të mirë dhe lojtarë që s’meritojnë të jenë pjesë e ekipit. Në përballjen e ekipeve që kanë prekur fundin, lufta për pozitën e gjashtë konfirmon më së miri se në çfarë pozite kanë rënë të dyja këto ekipe, falë keq-menaxhimit.