Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SI DO TË PËRFUNDOJË STINORI 2019/20?

Në pritje të vendimit përfundimtar 2019/20 për Superligën

Çast nga dueli Prishtina-Ballkani/ Foto: prishtinafc.com

Në pritje të vendimit përfundimtar 2019/20 për Superligën


8 May, 2020 @19:17

Do të luhet, apo s’do të luhet futboll në stinorin 2019/20 është pyetja që këto ditë më së shumti po pyetet nga futbollistët kosovarë.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) po insiston që të nisin garat në javën e fundit të majit ashtu që edhe Superliga edhe Kupa të përfundojë në fushë.

Në anën tjetër epidemiologu Lul Raka në emisionin Interaktiv kishte thënë qartë se asnjë aktivitet sportiv nuk mund të bëhet para qershorit, në të kundërtën për çfarëdo që ndodh ata që kanë dhënë leje për një gjë të tillë do të japin përgjegjësi.

Ditë më parë një numër i Federatave sportive shkuan në takim me Ministren Vlora Dumoshi për t’ia treguar hallet dhe për të kërkuar rifillimin e aktiviteteve.

Futbolli duket të jetë primar nga të gjithë, për shkak të shpërblimit të madh që ka UEFA, Liga e Kampionëve dhe Europa League.

UEFA ka kërkuar nga të gjitha Federarat anëtare të saj që deri më 25 maj të dërgojnë planin për vazhdim të stinorit ose anulimin.

“Edhe disa shkresa dhe materiale i dorëzuam në Ministrinë e Sportit, pasi deri më 25 maj kemi afat ta njoftojmë UEFA-në me një vendim të prerë, të vazhdojmë ose jo. Çdo vonesë na kushton. Nëse mbetet masa deri më 1 qershor, duhet të përfundojmë sezonin dhe pastaj të shohim si dhe në çfarë forme vendos UEFA,” ka thënë sekretari i FFK-së Eroll Salihu në një prononcim të tijin dje për Kohavision.

Në anën tjetër trajneri i Ballkanit Ismet Munishi ka shpallë ekipin e tij kampion, duke kërkuar nga kundërshtarët që ta urojnë. Karizmatiku Munishi po zhvillon presion konstant ndaj kundërshtarëve, përkundër se futbolli është në pushim të detyrueshëm nga pandemia coronavirus.

Ballkani ishte lider i Superligës në momentin e pezullimit të kampionatit. Ekipi suharekas me lojëra të mira ka arritur që të jetë ndër ekipet më të rrezikshme në ligë dhe këtë e vërtetoi edhe në ciklin e dytë të kampionatit duke arritur në kuotën e 44 pikëve, një më shumë sesa përcjellësi i parë, Drita. Në luftën për titull, ekipet tjera që janë treguar serioze dhe kanë gjasa të mira janë Gjilani, i treti me 41 pikë dhe Prishtina e katërta me po aq pikë.

Por, Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije qartë se nuk ka aktivitete sportive para 1 qershorit.

“Hapja selektive e aktiviteteve sportive është paraparë në fazën e tretë të lehtësimit të masave dhe nis më 1 qershor 2020. Kjo hapje do të bëhet konform rregullave të vendosura në protokollin e epidemiologjik dhe në bazë të situatës epidemiologjike. Rivlerësimi do të bëhet gjatë fazës së dytë dhe të tretë të hapjes, dhe varësisht nga situata epidemiologjike do të specifikohen edhe aktivitetet që mund të zhvillohen,” ka shkruar në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Federata e Futbollit kërkoi që të kenë lehtësime për shkak të afatit nga UEFA-ja. FFK kërkon rikthim në stërvitje të skuadrave prej 10 majit. Ndërsa më 24 maj të luhen ndeshjet gjysmëfinale të Kupë e më 30 maj të rifillojë stinori.

E trajneri i liderit të Superligës, Ismet Munishi sot në llogarinë e tij të Facebookut ka kërkuar që t’ia urojnë titullin kampion.

“Besoj që FFK tash duhet të sqarohet me ne që jemi në pritje. Nuk mund të presim pafundësisht. Të gjithë po e dimë epilogun. Duhet të merren vendime. Kush i ka dy ditë shkollë e dinë që futboll nuk ka më. Kush i njeh rrethanat e futbollit e pranon faktin që ne jemi ata që do të shpallemi kampionë. Bëhuni burra! Së pari klubet që secila në faqen e vetë të na urojë titullin dhe pastaj presim nga FFK-ja një datë kur do të paisemi me Kupë dhe medalje,” ka shkruar Munishi, që më parë kishte bërë kampion edhe Vushtrrinë, derisa Milot Rashica luante në Superligë të Kosovës.

E epidemiologu Raka Interaktiv potencoi se nuk duhet krahasuar massat në Kosovë me ato që po ndodhin për shembull në Gjermani, pasi që me kapacitete infrastrukturore dhe me thuajse gjithçka tjetër në luftë ndaj pandemisë, ata janë para nesh.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka dhënë leje që futbolli në Gjermani të nis më 16 maj nën rregullat strikte që kërkon protokolli anti-pandemik. Superliga është në fije të perit. Me mundësi 50-50 në vazhdime e anulim.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga