NDESHJA VENDIMTARE
Në Prizren vendoset: Lipjani ose Kalaja në Superligë
25 April, 2018 @12:05
Pas përballjes së parë të zhvilluar tre ditë më parë në Lipjan, ku Lipjani fitoi me 5 pikë dallim ndeshjen e parë të serisë finale të Ligës së Parë, sonte në Prizren do të përcaktohet anëtari i ri i Superligës së Kosovës në basketboll.
DUELI VENDIMTAR
Ndeshja do të nis në ora 19:15 ndërsa në Sezai Surroi Kalaja do të hyjë me mision fitore me gjashtë pikë epërsi, kurse Lipjani me mision mbrojtjen e epërsisë nga ndeshja e parë.
Gjatë stinorit të rregullt, të dyja skuadrat kanë fituar njëra-tjetrën si vendas dhe atë me rezultat të thellë. Kalaja kishte fituar Lipjanin në xhiron e gjashtë të stinorit, 90-68, ndërsa Lipjani kishte fituar në xhiron e trembëdhjetë, 91-68!
SKEMA E PLAYOFFIT NË LIGËN E PARË
Stinorin e rregullt, Lipjani e përfundoi kryesues i Ligës së Parë me bilanc 12-2, ndërsa Kalaja si e treta me bilanc 10-4.
HISTORIA
Asnjëra skuadër më parë nuk ka qenë pjesë e Superligës së Kosovës në basketboll, prandaj cilado që triumfon sonte, do të shkruajë historinë e klubit.
RASTI TJETËR
Sidoqoftë, humbësi i ndeshjes finale nuk duhet zhgënjyer edhe aq, pasi që ka mundësi që të arrijë në Superligë përmes ndeshjes Play-Out.
Borea, që ka përfunduar e parafundit stinorin e rregullt në Superligë, do të luajë ndeshje të ndërsjella me ekipin që humb finalen nga Liga e Parë. Fituesi i kësaj përballjeje, gjithashtu do të fitojë të drejtën për Superligë 2018/19.