PARA NDESHJES VENDIMTARE
Në qetësi, 10 lojtarë stërvisin, s’ka deklarata
16 November, 2020 @23:58
Futbollistët e përfaqësues së Kosovës kanë zhvilluar stërvitjet e fundit para ndeshjes jetike ndaj Moldavisë që luhet nesër mbrëma në Fadil Vokrri.
Djelmoshat e drejtuar aktualisht nga ndihmës-trajneri Muharrem Sahiti, kanë qenë të qetë dhe kanë kryer stërvitjet rutinore, të cilëve iu bashkua edhe Bersant Celina, që kishte lëndim të lehtë para ndeshjes me Slloveninë dhe nuk luajti aty.
Nga 10 futbollistët e pranishëm sot, dy ishin portierë, ndërsa pjesa tjetër e reprezentacionit që luajti përballjen ndaj Sllovenisë dy ditë më parë bëri regjenerim në hotel.
TABELA AKTUALE, REZULTATET dhe NDESHJET
Dardanët arritën në orët e hershme të mëngjesit të së hënës në Prishtinë, ndërsa për duelin e nesërm Sahiti nuk do të ketë në dispozicion Bernard Berishën, që është i pezulluar për këtë ndeshje për shkak të kartonëve të verdhë.
Bernardi tashmë është nisur drejt Rusisë, për te klubi i tij. Nga mediat e pranishme për 15min sa u lejua të jenë në stërvitje, asnjë deklaratë nuk është dhënë as nga lojtarët as nga stafi, derisa qetësia ka mbretëruar përgjatë gjithë stërvitjes te lojtarët.
Kosovës i duhet së paku një pikë nesër, për të siguruar mbijetesën në Ligën C të Kombeve. Dardanët nuk kanë arritur asnjë fitore në Grupin 3 të kësaj lige, duke regjistruar dy barazime e tre disfata deri tani.