REMZI EJUPI
Në Turqi fitoi futbolli kosovar, komplimente për Dritën
23 January, 2021 @23:05
Kryetari i Prishtinës, Remzi Ejupi, me gjithë kënaqësinë për trofeun e fituar në Superkupë sot, është treguar edhe modest duke e komplimentuar rivalin dhe duke e nxjerrë në plan të parë futbollin kosovar.
Ai këtë e bërë nëpërmjet një statusi të publikuar në Facebook nga vet ai.
Më poshtë lexoni postimin e plotë të kryetarit të Prishtinës, të shkruar pas fitores së Prishtinës me rezultat 3-1 në Superkupë.
“FC Prishtina sot me meritë e fitoi Superkupën e Kosovës në futboll përballë Dritës të cilën e mundi me rezultat 3:1.
Ky trofe do të vendoset në vitrinat e klubit më të madh kosovar, por Drita meriton komplimente dhe përgëzime të mëdha për lojën e shfaqur që vjen si rrjedhojë e një organizimi të mirëfilltë të klubit me nam nga Gjilani.
Pra, sot në Turqi fitoi futbolli kosovar, i cili përmes një loje të mrekullueshme që aplikuan Prishtina dhe Drita, dëshmoi se i përket një tjetër niveli se sa ai që shihet e mendohet në Kosovë.
Një referim profesional i gjyqtarëve dhe kushtet e mira për një lojë futbolli që ofroi stadiumi turk e shfaqën fytyrën e vërtetë, të ndritur, të futbollit tonë.
Prandaj, kjo është koha e fundit kur ne, sidomos ata që e kanë marrë mbi supet e veta menaxhimin e futbollit, duhet të fillojnë të mendojnë për t’i shërbyer interesit nacional të futbollit kosovar, për t’i krijuar kushte zhvillimit dhe ngritjes së tij, e për t’i lënë anash interesat personale dhe teknet e inatet e disa individëve që janë bërë barrierë e zhvillimit të futbollit tonë.
Urime nga zemra për Prishtinën, Dritën dhe gjithë futbollin e shumëvuajtur të Kosovës!
E ardhmja është e jona!”