NGA KONFERENCA
Nëse nuk ftohen nga Kosova, ftohen nga Shqipëria
12 November, 2015 @20:16
Strategu italian i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka mbajtur konferencën e paralajmëruar për shtyp para ndeshjes me Kosovën dhe ka thënë se kjo do t’i shërbejë Shqipërisë si ndeshje përgatitore para EURO 2016 në Francë.
“Si ndaj Kosovës, ashtu edhe ndaj Gjeorgjisë tre ditë më vonë, ne do të eksperimentojmë me lojtarë, pozita dhe taktika ashtu që të përgatitemi sa më mirë për EURO 2016,” ka thënë italiani fillimisht.
Ndër të tjera ai ka dhënë përgjigje edhe për lojtarët kosovarë që gjinden nëpër ligat e ndryshme europiane dhe që janë në planet e Shqipërisë.
“Dyert e kombëtares shqiptare janë të hapura për çdo futbollist shqiptar. Kemi marrëdhënie të mira me FFK-në dhe nuk do ta pengojmë atë në rrugë të saj. Kemi ekip shumë të mirë dhe Kosova ka fatin e mirë që ka lojtarë të mirë. Në rast se ndonjë lojtar nuk ftohet nga Kosova, ne do t’i ftojmë,” ka thënë ndër të tjera De Biasi, që ka kaluar të shumtën e kohës i buzëqeshur në konferencë ku ka qenë i pranishëm edhe Lorik Cana, kapiten e Jona Dervishi, nga zyra për media e FSHF-së.