MYSAFIRI
Presidenti i klubit gjerman, në ndeshjen Kosovë - Shqipëri
12 November, 2015 @20:13
Ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë që do të zhvillohet nesër (e premte) nga ora 14:00, do ta përcjellë nga afër edhe presidenti i skuadrës gjermane Greuther Furth, Helmut Hack.
Hack do të qëndrojë në Kosovë për dy ditë, pas ftesës nga kryetari i klubit të Prishtinës, Remzi Ejupit, ndërsa ai do të jetë i shoqëruar edhe me dy zyrtarë të tjerë të lartë të klubit gjerman.
“Zoti Helmut Hack të premtën dhe të shtunën do të jetë mysafir në Prishtinë. Unë e kam ftuar atë, pasi njihemi qysh moti. Prishtina dhe Greuther Furth qysh moti kanë filluar me bashkëpunim të ndërsjellë, madje e patëm transferuar nga Prishtina te klubi gjerman Shqipron Skerajn,” ka deklaruar Ejupi, transmeton faqja zyrtare e klubit bardhekaltër.
“Ndërsa, tani kur Kosova është në prag të anëtarësimit në UEFA, e shohim të nevojshme thellimin e bashkëpunimit mes dy klubeve tona. Eksperienca e Greuther Furthit i nevojitet Prishtinës, por edhe Greuther Furth mund të fitojë nga futbolli ynë, sepse dihet që gjithnjë ka pasur lojtarë shqiptarë dhe ende ka të tillë që mund denjësisht të luajnë në skuadrat e njohura ndërkombëtare. Ai do ta shikojë nga afër ndeshjen mes Kosovës dhe Shqipërisë, pasi klubi i tij ka pasur lojtarë nga të dyja këto ekipe, si Ilir Azemin apo Mërgim Mavrajn dhe mund të ndodh që t’i bie edhe ndonjë lojtar në sy dhe ta transferojë në klubin e tij” ka shtuar Ejupi.
Helmut Hack është president i Greuther Furthit nga viti 1996, kurse nga viti 2010 është edhe anëtar i bordit të Bundesligës gjermane. Grethur Furth aktualisht garon në Bundesliga 2, ndërsa vetëm para tri vitesh ishte në Bundesligë. Aktualisht në këtë ekip gjerman luajnë tre lojtarë shqiptarë: Jurgen Gjasula, Veton Berisha dhe Ilir Azemi.