Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SELEKTORI I RI?!

Zyrtarizimi i përzgjedhësit?! FFK thërret konferencë për shtyp

Alain Giresse 69-vjeçar, pritet të zyrtarizohet si selektor i ri i Kosovës në futboll.

Zyrtarizimi i përzgjedhësit?! FFK thërret konferencë për shtyp


22 February, 2022 @23:15

Federata e Futbollit e Kosovës ka thirrur për të mërkurën një konferencë për shtyp në ora 13:00 në hotelin ku zakonisht qëndron kombëtarja e Kosovës.

Arsyeja e thirrjes së konferencës për shtyp nuk është bërë e ditur zyrtarisht, por tashmë po përfolet arritja e trajnerit francez Alain Giresse si përzgjedhës i ri i Kosovës.

“Ju njoftojmë se nesër (e mërkurë, 23 shkurt) do të mbahet konferencë për media. Vendi: hotel Emerald. Ora 13:00. Ju mirëpresim,” - kaq ka shkruar në letrën e dërguar mediave nga FFK!

FFK ishte ndarë me përzgjedhësin e saj të fundit Bernard Challandes më 13 tetor 2021 dhe tashmë para se të arrijë muaji i pestë pa selektor, pritet zyrtarizimi i tij!

Informata e fundit që e kishte dhënë kreu i FFK-së, kishte qenë më 15 shkurt, kur tha se brenda javës do të shpallet selektori i ri - afat ky që kaloi dhe nuk u bë publike asgjë.

Në ndërkohë, ai kishte thënë se lista e përzgjedhësve të Kosovës ishte ngushtuar në pesë, prej të cilëve një gjerman, një francez, një holandez, një belg dhe një zviceran.

Si duket, francezi i ka pranuar kushtet e ofruara nga FFK-ja për të marrë timonin e Kosovës, që veçse ka aranzhuar dy miqësore për muajin mars, ndaj Burkina Fasos në Prishtinë dhe ndaj Zvicrës në Zurich.

Nëse Giresse bëhet përzgjedhës i Kosovës, kjo do të jetë përvoja e parë e tij me një vend evropian, që prej vitit 2005 kur kishte lënë detyrën e përzgjedhësit të Gjeorgjisë, për të nisur punën me ato afrikane, ku ka punuar me Gabonin, Malin, Senegalin, përsëri Malin dhe së fundi Tunisin. 69-vjeçari që prej vitit 2019 nuk ka punuar si trajner/selektor.

Arritja më e madhe në karrierë të Giresse si futbollist ka qenë EURO 1984 me Francën, duke qenë pjesë e mesfushës fantastike të kohës që është quajtur Carre Magique, ku bashkë me Michel Platini, Luis Fernandez dhe Jean Tigana kanë dominuar mesin e fushës.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga