KOMISIONI DISIPLINOR
Nga dueli Ballkani-Llapi, 3 lojtarë dënohen me nga 2 ndeshje moslojë
30 April, 2021 @17:59
Komisioni Disiplinor i FFK-së në mbledhjen e sotme ka marrë një sërë vendimesh, ku ndër ta përfshihet edhe dënimet për disa lojtarë që luajtën në ndeshjen Ballkani - Llapi.
Te Llapi me dy ndeshje moslojë janë dënuar Ahmed Januzi dhe Elvis Prenqi, derisa te Ballkani u dënua Kushtrim Gashi, po ashtu me dy ndeshje moslojë.
Këto vendime të Komisionit disiplinor erdhën si pasojë kartonave të kuq të këtyre lojtarëve në ndeshjen e përmendur.
Ndërkaq, ndaj kryetarjnerit të Llapit, Tahir Batatina, ndihmësit të tij Bekim Mulliqi, si dhe ndaj klubit të Ballkanit, janë hapur procedura disiplinore.
Procedura disiplinor për Batatinën është hapur për shkak të prononcimit të tij për media pas përfundimit të ndeshjes, ku fajëson gjyqtarët për epilogun e takimit.
Ndihmëstrajnerit të Llapit, Bekim Mulliqit, procedura disiplinore është hapur për shkak të goditjes me grusht të lojtarit rezervë të Ballkani, Arbër Shala, në minutën 32’ të ndeshjes kur u krijua rrëmuja, dhe i njëjti është pezulluar pa të drejtë ushtrimit të detyrës së tij deri në kompletimin e lëndës.
Nga hapja e procedurës disiplinor nuk ka shpëtuar as klubi i Ballkanit, për shkak të së paku katër (4) rasteve ku mbledhësit e topave hedhin topin e dytë në fushë me qëllim të zvarritjeve nga minuta 88’ e deri në përfundim të lojës, si dhe për shkak të bartësit e barelave që kanë fyer dhe ofenduar ekipin mysafir në ndeshjen Ballkani – Llapi.