RENDITJA E FIFA

Ngritet Shqipëria
28 November, 2013 @11:39
Kombëtarja shqiptare në futboll ka arritur të ngritet për një pozitë më lartë në renditjen mujore të FIFA-së, sipas listës së botuar sot nga shtëpia e futbollit botëror.
Shqipëria në fakt është ngritur nga vendi i 58-të në vendin e 57-të derisa pikët i janë shtuar nga 563.11 në 571.44 me barazimin e nxjerrë në miqësoren e fundit ndaj Bellorusisë.
Sa i përket UEFA-së, pra vendeve nën ombrellën europiane të futbollit, Shqipëria është në vendin e 30-të që do të thotë se kombëtarja do të mund të llogarit në vazon e katërt për shortin e ardhshëm për Kampionatin Europian Franca 2016.
Sa i përket vendeve tjera dhe TOP 10-shes botërore në renditje, katërshja e parë, Spanja, Gjermania, Argjentina dhe Kolumbia kanë mbetur të palëvizshme, derisa ngritjen më të madhe e ka bërë Portugalia që ka kërcyer për 9 vende duke arritur në vendin e pestë.
Uruguaji, Italia, Zvicra, Holanda e Brazili kompletojnë TOP 10-shen më të mirë botërore, derisa rënien më të madhe nga TOP 10 e ka patur Belgjika që nga vendi i 5-të ka rënë në të 11-tin.