OLIMPICO
Ngritje e Rossonerëve, e treta me radhë
1 November, 2015 @22:27
Milan ka filluar të japë shenjat e para të këndelljes. Ata sonte kanë mposhtur relativisht lehtë Lazion në Olimpico të Romës.
Goli i parë erdhi nga Andrea Bertolacci, që shtyu në rrjetë shutin e Alessio Cercit të dëbuar nga Federico Marchetti.
Në pjesë të dytë, Philippe Mexes, që zëvendësoi brazilianin e lënduar Alex në mbrojtje, në kontaktin e parë me top shënoi për 0-2, ndërsa më pas Lazio dha hapësira për kundërsulm, që u shfrytëzua nga Carlos Bacca, pasi që pranoi një top nga Giacomo Bonaventura, për të kaluar edhe Marchettin dhe për të shënuar në portë të zbraztë për 0-3.
E tëra që Lazio bëri deri në fund, ishte zbutja e disfatës, me golin e shënuar nga Ricardo Kishna.
Në përgjithësi, kjo është fitorja e gjashtë e Milanit këtë stinor dhe ka arritur të dalë mbi Lazion në tabelë, duke u renditur në pozitën e gjashtë. E Lazio përjetoi humbjen e pestë të stinorit, duke rënë në pozitën e shtatë të klasifikimit.