LEGJIONARËT NË ZVICËR
Nis Superliga zvicerane, shqiptarët në akcion
23 July, 2017 @23:17
Sot ka përfunduar xhiroja e parë e stinorit të ri të Superligës së Zvicrës në futboll, ndërsa në vikendin që po e lëmë pas aty janë paraqitur futbollistët shqiptarë për ekipet e ndryshme, sipas radhës së ndeshjeve:
Lausanne - St Gallen 3-3
Mbrojtësi i Kosovës, Benjamin Kololli, është futur në ndeshje nga minuta e 61-të në barazimin e arritur të ekipit të tij si vendas, pasi që Lausanne ka qenë në disavantazh 1-3, ndërsa në fund ka fituar një pikë si vendas.
Sulmuesi i ri me pasaportë zvicerane, Andi Zeqiri, ka qenë në bankë rezervë, gjatë gjithë ndeshjes për Lausannen.
Te St Gallen, nga minuta e 63-të e ndeshjes është paraqitur mesfushori nga Bujanovci, Gjelbrim Taipi, i cili ka debutuar për St Gallenin prej se aty kaloi nga Schaffhauseni si lojtar i lirë.
Young Boys - Basel 2-0
Taulant Xhaka, mesfushor i kombëtares shqiptare, ka qenë për 90 minuta në fushë, por kampioni i shumëfishtë i Zvicrës, Basel, nuk ka arritur të shkëpusë pikë në duelin e parë të stinorit të ri ndaj Young Boysit, prej të cilëve u mposht 2-0.
Grasshopper - Zurich 0-2
Grasshopper për të cilin luajnë Albion Avdijaj (sulmues 23 vj.), Nedim Bajrami (mesfushor 18 vj.) dhe Valon Fazliu (sulmues 21 vj.) është mposhtur në nismë të stinorit nga Zurichu ku Burim Kukeli me përvojë ka qenë në lojë gjatë gjithë ndeshjes dhe është ndëshkuar me karton të verdhë, derisa mesfushori Izer Aliu (17 vj.) ka qenë në bankën rezervë të ekipit fitues.
Avdijaj dhe Bajrami janë futur në pjesë të dytë te Grasshoppersi, por nuk kanë arritur të bëjnë dallim në rezultat dhe ekipi i tyre doli kokulur nga ndeshja, ku Kukeli e Aliu kapën tre pikët e para të stinorit.
Luzern - Lugano 1-0
Hekuran Kryeziu, i pazëvendësueshëm në mes të fushës në fitoren e Luzernit, derisa Dren Feka (mesfushor sulmues, 20 vj.) ka luajtur startues për 60 minuta në fitoren e ekipit të tij të ri. Ndërsa sulmuesi tjetër i ekipit, i ardhur nga Schaffhauseni, Shkëlqim Demhasaj 21 vjeç, ka qëndruar në bankën rezervë të Luzernit.
Thun - Sion 0-1
Pa shqiptarë në fushë. Për të përmendur, vetëm ish-ndihmës trajnerin e kombëtares shqiptare, Paolo Tramezzani, që mori tre pikët e para në kampionat dhe atë si mysafir.