ARDIAN NUHIU
Nuhiu: Ndeshjen e rivalëve e presim me qetësi
3 April, 2021 @18:07
Pas dy barazimeve të fundit, kampionja aktuale e Kosovës, Drita, i është rikthyer fitores. Ekipi gjilanas arriti të marrë 3 pikë të reja duke e mposhtur Arbërinë në Podujevë, me një lojë të mirë dhe sulmuese.
Pas ndeshjes, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, tha se skuadra e tij tregoi karakter e dëshirë dhe fitoi me meritë.
“Dy barazimet e fundit kanë pasur ndikim psikologjik, mirëpo djemtë treguan dëshirën që nga fillimi. Ishim agresivë në zonën e parë të kundërshtarit, ku kemi arritur të rikuperonim shumë topa. Për fat të keq në fillim nuk arritëm të realizonim, ndërsa ndoshta në momentin më të mirë tonin, arriti kundërshtari të na ndëshkojë. Por prapë djemtë treguan karakter dhe dëshirë për ta fituar ndeshjen. Mendoj që me plotë meritë fituam”, tha Nuhiu.
Kjo fitore për Dritës, ka rëndësi shtesë duke pasur parasysh edhe duelin tjetër të kësaj jave, ku përballen dy skuadrat e tjera që luftojnë për titull, Ballkani dhe Prishtina.
Për e dy rivalëve të tjerë, Nuhiu tha: “Ne i kemi kryer detyrat tona sot. Me shumë qetësi e presim ndeshjen. Por sigurisht ka edhe shumë ndeshje të tjera. Ndoshta kjo është një ndër kryesoret por kampionati është shumë i gjatë dhe duhet t’i marrim ndeshjet një nga një”.
Krejt në fund, trajneri shkupjan foli edhe për qëllimin kryesor të ekipit të tij që është titulli kampion, duke theksuar se synojnë që ta mbrojnë titullin për të treguar se jo rastësisht e kanë fituar atë në vitin e kaluar.
“Do të mundohemi ta mbrojmë titullin që të tregojmë që nuk ka qenë rastësi ai i vitit të kaluar. Por kemi dy kundërshtarë të cilët po ashtu po kërkojnë. Kemi 8 finale, do të mundohemi të mos gabojmë dhe të ecim mirë finale pas finales”, përfundoi ai.