MITROVICASIT THONË SE LOJA DUHEJ TË NDËRPREHEJ
Nuk është dashur të vazhdojë ndeshja
29 November, 2015 @18:35
Në mungesë të trajnerit të parë të ekipit Arsim Thaçi, Veton Çitaku ishte në rolin e shefit të skuadrës sot në Prishtinë.
Ai mendon se ndeshja nuk është dashur të vazhdohej pasi që tifozët sulmuan referin anësor kur u ndërpre ndeshja në minutën e 87-të.
“Nuk mund të komentoj se përse unë jam trajner e dikush tjetër jo. Nuk është dashur të vazhdoj loja pas minutës 87-të kur është sulmuar fizikisht gjyqtari i dytë anësor nga tifozët. Edhe pas asaj që u insistua të zbrazet tribuna, as kjo nuk ndodhi. Dy herë ndodhën gabime. Unë e kam rolin e trajnerit, është kompetencë e klubit se a do të ankohet. Kurse, disfata më shumë ishte e fatit se sa nga loja e Prishtinës e cila më mirë luajti në pjesën e parë, kurse ne në të dytën, por rezultati baraz 2:2 kishte me qenë epilogu më real,” ka thënë Çitaku për faqen zyrtare të Prishtinës sot.
Trepça’89 është në krizë të rezultateve dhe sot ishte shumë afër të marrë pikën e parë pas 5 ndeshjeve, por përsëri nuk e arriti këtë.
Ekipi mitrovicas ka regjistruar 5 humbje radhazi, pas një serie të shkëlqyer në nismë të stinorit.