DEBUTIMI
Nuza me ndihmësit, pa gabime në ndeshjen debutuese
27 March, 2017 @20:07
Në debutimin e tyre në arenën ndërkombëtare, treshja e referëve kosovarë, Genc Nuza, Bujar Selimaj dhe Fatlum Berisha, kanë kryer një punë të suksesshme në takimin miqësor mes Turqisë e Moldavisë në stadiumin e Eskisehirit, vend ky ku përfaqësuesja turke luajti për herë të parë sot.
Në një atmosferë impozante, ku stadiumi kishte të pranishëm mbi 30 mijë shikues dhe ishte gati i mbushur totalisht, treshja kosovare e referimit e kaloi takimin pothuajse pa gabime.
Kryesori Genc Nuza shpërndau tre kartonë të verdhë, të tre me plot meritë, derisa anësorët Selimaj e Berisha gjithashtu ishin në nivel të detyrës dhe nuk gabuan asnjëherë në referimet e pozicioneve jashtë loje, përkundër faktit që në disa raste kishin të bënin me vendime milimetrike.
Kjo ishte ndeshja e parë që një ndeshje ndërkombëtare gjykohet nga referë nga Kosova, ndeshje e cila u fitua nga Turqia me rezultat 3-1.