PRISHTINA - LIRIA
Osmani e lë duarthatë Lirinë
6 November, 2016 @14:45
Goli i Labinot Osmanit në minutën e katërt të lojës shtesë, i ka sjellur tri pikë të arta Prishtinës, e cila u ndesh me Lirinë e Prizrenit.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, për shkak të punimeve në stadiumin e Prishtinës.
Rasti më i mirë në ndeshje ishte në minutën 31’, kur gjuajtja e fuqishme e Mërgim Nezirit të Prishtinës, ndalet në shtyllën e portës së portierit Valmir Hajrizaj.
Prishtina ishte më ofansive, ndërsa Liria mundohej të rrezikojë kryesisht me anë të kundërsulmeve.
Por, kur të gjithë pritnin që skuadrat do t’i ndajnë nga një pikë secila për vete, në skenë doli Labinot Osmani, i cili më në fund arriti ta mposht Hajrizajn.
Me këtë fitore, Prishtina ruan pozitën e dytë me 30 pikë dhe i afrohet lideres, Trepçës ‘89, kurse Liria mbetet me 16 pikë në pozitën e tetë.