DRITA - GJILANI
Pa fitues në derbin e Anamoravës
28 September, 2017 @17:26
Pa fitues është mbyllur derbi i Anamoravës mes Dritës e Gjilanit, duel i cili e përmbyll xhiron e shtatë të Superligës së Kosovës në futboll.
Përkundër disa rasteve për shënim, pjesa e parë u mbyll pa gola. Rreziku i parë për gol erdhi nga Betim Haxhimusa, i cili nuk e shfrytëzoi siç duhet një krosim të Thaqit nga krahu i djathtë dhe nuk arriti që të shënoj nga shumë pranë portës. Më pas, i njëjti lojtar gaboi ballë për ballë me portierin Halimi, i cili reagoi mjaft mirë dhe nuk e lejoi që Drita të kalonte në disavantazh. Në anën tjetër, për Dritën dy rreziqet kryesore në këtë pjesë erdhën nga Liridon Leci dhe Arbnor Ramadani, mirëpo shënimi i të kaltërve u mohua në të dyja rastet nga pritjet e mira të Donat Kaqiut të Gjilanit.
Në pjesën e dytë, ndeshja ishte shumë më atraktive se në pjesën e parë. Gjithçka filloi me golin e Betim Haxhimusës në minutën e 67’ të ndeshjes, gol i cili erdhi pas një kundërsulmi të shpejt të Gjilanit, ndërsa në këtë rast më së miri u gjend Haxhimusa, që i dhuroi epërsinë skuadrës së tij.
Barazimi i Dritës erdhi në minutën e 77’ pas ekzekutimit perfekt të goditjes së dënimit nga Xhevdet Shabani, derisa menjëherë pas golit Drita krijoi edhe tri raste të njëpasnjëshme për shënim, përfshirë këtu edhe një shtyllë të goditur nga Astrit Fazliu, por goli nuk erdhi në asnjë moment as për njërën palë e as për tjetrën dhe ndeshja u mbyll me epilogun final 1-1.
Për t’u përmendur nga kjo ndeshje është fakti që edhe ‘Intelektualët’ edhe ‘Skifterët’ ishin të pranishëm në numër të madh dhe krijuan atmosferë impozante, përkundër faktit që ndeshja u luajt në mesjavë.
Ky rezultat bën që Gjilani të mbetet skuadra e vetme pa humbje në Superligë sivjet, ndërkohë që të dyja skuadrat kanë pikë të barabarta momentalisht.