KROACIA 1-1 REPUBLIKA ÇEKE
Pa fitues në Glasgow, kroatët e çekët ndajnë pikët
18 June, 2021 @19:55
Pa fitues u mbyll dueli i luajtur sot mes Kroacisë dhe Republikës Çeke, duel i vlefshëm për Grupin D të EURO2020. Përfaqësuset në fjalë në fund barazuan 1-1, me nga një gol që u shënua në secilën pjesë.
Pjesa e parë u mbyll 0-1 për Republikën Çeke falë një goli të shënuar nga Schick në minutën e 37’ nga pika e bardhë. Penalltia e referuar për çekët ishte tejet diskutabile, ndërkohë që saktësia nga pika e bardhë bën që Schick tashmë të ketë 3 gola personale pas dy ndeshjeve të luajtura.
E në pjesën e dytë, Kroacia luajti shumë më mirë se në të parën. Nënkampioni në fuqi i Botës golin e barazimit e gjeti shpejt përmes Perisic (47’). Anësori këmbëshpejt shënoi në stilin e tij, me depërtim nga krahu i majtë dhe me gjuajtje precize me të djathtën.
Megjithatë, edhe pse kishte plot kohë, Kroacia nuk e arriti dot golin e fitores dhe ndeshja u mbyll me barazim, rezultat që padyshim që i konvenon më shumë Çekisë. Me 4 pikë pas 2 ndeshjeve, Republika Çeke e sheh veten shumë pranë kalimit të grupeve, qoftë edhe nga vendi i tretë.
Në anën tjetër, Kroacia në ndeshjen e fundit do ta kërkojë me çdo kusht fitoren ndaj Skocisë, për të shpresuar në kalim të grupeve.