SELEKTORI I RI I KOMBËTARES
Panucci jeton për EURO 2020
19 July, 2017 @12:44
Tashmë trajneri i ri i kombëtares shqiptare, Christian Panucci, pasi që u zyrtarizua nga Federata e Futbollit të Shqipërisë (FSHF), ka bërë të ditur edhe synimet e tij me kuqezinjtë, por edhe idetë e planet që ka në program për t’i zbatuar me lojtarët që do t’i ketë në dispozicion.
Duke treguar se do të nis të mësojë ngapak shqip, sa për të mundur të përcjellë taktikat e tij te lojtarët, italiani 44 vjeçar i lindur në Savona që ka punuar si ndihmës trajner i Rusisë, ka bërë të ditur se synim kryesor ka kualifikimin në EURO 2020 me Shqipërinë.
“Më intereson pak nëse Italia mbetet jashtë Botërorit. Jam trajner i Shqipërisë tani dhe dua të fitojë çdo ndeshje. Kur shoh fushën e lojës nuk e njoh as babain tim. Jam italian, por jam trajner i Shqipërisë. Natyrisht, do të ketë emocione, por dua që të fitojë Shqipëria,” ka thënë Panucci kur u pyet për përballjen me Italinë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Rusia 2018”.
Shqipërisë i kanë mbetur edhe 4 ndeshje për të zhvilluar në ciklin kualifikues për Botëror. Më 2 shtator pret Lihtenshtajnin, më 5 udhëton për IRJ Maqedoni. Më 6 tetor udhëton për Spanjë, ndërsa më 9 tetor mbyll ciklin ndaj Italisë. Gjasat për tu kualifikuar janë minimale, për të mos thënë të pamundura.
Por, ish mbrojtësi i Romës, Real Madridit, Milanit, Interit dhe ekipeve tjera, ka cekur se në kontratën e tij 2.5 vjeçare objektiv kryesor ka kualifikimin për në EURO 2020.
“Të shkojmë në EURO 2020. Nëse jo, mirupafshim dhe do të jem i nervozuar gjithë ditën. Ky është objektivi ynë. Të shkojmë në EURO 2020. Do të jetoj vetëm për këtë arritje,” ka shtuar ndër të tjera Panucci.
Testi i parë për Shqipërinë e Panuccit, që nis një epokë të re pas Gianni de Biasit historik, do të jenë dy duelet më të lehta në Grupin G kualifikues për Botërorin Rusia 2018, ndaj Lihtenshtajnit dhe IRJ Maqedonisë, për të përfunduar me gjigandët botëror, Spanjën dhe Italinë.
Këto ndeshje pritet të jenë edhe përgatitje kryesore për planin dhe programin e Panuccit në kombëtare. Ai aty pritet të sheh kapacitet reale në fushë të kuqezinjëve, pas së cilës do të përgatis edhe punën për kualifikim në ciklin e radhës, që çon në europian.
Paq fat, Panucci!