KAMPIONI I KTHEHET FITORES!
Pas tre xhirosh, Ballkani i kthehet fitores!
2 March, 2024 @17:16
Ballkani ka arritur të ruajë lidershipin në Superligë, pasi që pas tre ndeshjeve pa fitore së fundi në elitë, ka arritur që sot të dalë triumfues në “18 qershori” ndaj Dukagjinit. Fitorja e suharekasve ka qenë minimale, por rehatia e arritur shpejt në pjesë të parë ka bërë që ekipi i Ilir Dajës të kontrollojë plotësisht ndeshjen në pjesën më të madhe të saj.
Ka qenë Meriton Korenica që me të nisur ndeshja i dha epërsinë kampionit, ndërsa më pas Nazmi Gripshi nga penalltia bëri që të hiqen dilemat sa i përket mundësisë për të befasuar edhe një herë Ballkanin. Në fund, goli i nderit nga Rugova për përfundimtaren, Dukagjini - Ballkani 1-2 [Rugova 88’ - Meriton Korenica 1’, Nazmi Gripshi 27’pen.].
Armend Dallku nuk kishte nisur këtë përballje me formacionin më të mirë, ndërkaq u arsyetua se ka ruajtur disa nga 11-shja standarde e ekipit për ndeshje të Kupës që luhet në mesjavë. Përndryshe, Ballkani ka shënuar vetëm fitoren e dytë në pranverë pas një ecurie jo të mirë së fundi - por lidershipi dhe mbrojtja e titullit është ende nën kontroll të portokallezinjëve suharekas.
Me fitore, Ballkani bën që pas 23 ndeshjesh të ketë 48 pikë, ndërsa Dukagjini i gjashti, të ketë 30 pikë. Xhiron që vjen në kampionat, Ballkani pret Malishevën, ndërsa Dukagjini Fushë Kosovën.
FORMACIONET STARTUESE:
DUKAGJINI XI: Bronzi; Iseni, Basri, Pllana, Sulejmani; Feka, D. Morina, Mëziu, Daci, Elezaj, Paulo Victor.
BALLKANI XI: Koliçi; Kuc, Thaqi, Jashanica, Halili, Dellova, Trashi, Limaj, Korenica, Gripshi, Danfa.