ZVICRA - SPANJA 1-1 (1-3pen)

Foto: uefa.com
Penalltitë çojnë Spanjën në gjysmëfinale
2 July, 2021 @20:51
Spanja është gjysmëfinalistja e parë e Kampionatit Europian EURO 2020, pasi që pas 90-minutave lojë 1-1 dhe vazhdimeve pa gola, ka arritur që të tregohet më e mirë pas ekzekutimit të penalltive, për të shkuar te 4-shja më e mirë e garës dhe për të marrë biletën për Londër.
Një autogol i hershëm i Denis Zakarias i kishte dhënë epërsinë Spanjës heret në takim. Ishte minuta e 8 e takimit kur spanjollët festuan epërsinë.
Derisa dominimi në fushë përgjatë pjesës së parë u pa dukshëm nga furia e kuqe, në pjesë të dytë zviceranët u treguan arrë e fortë dhe arritën që të shënojnë përmes Xherdan Shaqirit, që me të djathtën pranoi një top në zonë nga Remo Freuler për të barazuar në 1-1 (68’).
Ishte pikërisht Freuler që zhgënjeu pas disa minutash. Ai mori karton të kuq (77’) pas një fauli të rrezikshëm dhe referi anglez Mike Oliver, menjëherë e ndëshkoi, kurse vendimi i tij u vërtetua edhe nga VAR.
Pas kësaj pasuan ndërrimet te Zvicra, derisa Vladimir Petkovic bëri 5 ndërrime (3 në 10 minutëshin e fundit të kohës së rregullt dhe 2 të tjera në vazhdime).
E pas heroizmit të Yann Sommer në vazhdime dhe pritjeve të tij të disa rasteve tepër të mira të spanjollëve, që assesi të konkretizonin sulmet, përkundër se Zvicra ishte me 10 lojtarë në fushë, ndeshja shkoi në penallti.
Për zviceranët shënoi vetëm Mario Gavranovic, derisa për Spanjën shënuan Dani Olmo, Gerard Moreno e Mikel Oyarzabal. Fabian Schar, Manuel Akanji dhe Ruben Vargas dështuan nga pika e bardhë te Zvicra, kurse te spanjollët Sergio Busquets e Rodri për përfundimtaren 1-3 pas penalltive.
Unai Simon në anën tjetër mbrojti dy penallti të zviceranëve (Schar dhe Akanji) për tu bërë hero i Spanjës që siguroi biletën për gjysmëfinale.
Spanja në gjysmëfinalen e Londrës do ta pret fituesin e përballjes Belgjika-Italia.