SUPERKUPA E KOSOVËS
Për të dhjetën herë, Prishtina fituese e Superkupës!
23 January, 2021 @14:06
Prishtina është fituesja e Superkupës së Kosovës për sezonin 2019/2020!
Skuadra kryeqytetase arriti ta mposhtë Dritën me rezultat 1-3 (Kastriot Rexha 8’ / Qëndrim Zyba 3’, Besnik Krasniqi 21’, Alban Shillova 90+3’), për ta shtuar edhe një trofe në kabinetin e pasur të saj.
Ndryshe nga vitet tjera, kësaj radhe ndeshja për Superkupën e Kosovës u luajt në Turqi, saktësisht në stadiumin “Mardan” në Antalia të Turqisë.
Ndeshja u hap shumë shpejt. me dy skuadrat që shënuan nga një herë në 10 minutat e parë.
Qëndrim Zyba i kryeqytetasve shënoi në minutën e 3’ pas një krosimi të ardhur nga krahu i djathtë, e më pas Kastriot Rexha i gjilanasve barazoi në minutën e 8’ pas një gabimi të portierit Eglant Haxho.
Deri në përfundim të pjesës së parë u shënua edhe një gol. Ishte Besnik Krasniqi i Prishtinës ai që në minutën e 21’ u tregua i saktë nga pika e bardhë, për ta dërguar Prishtinën në pushim mes pjesëve me epërsi 1-2.
Në pjesën e dytë, raste për shënim patën të dyja skuadrat, mirëpo goli nuk erdhi deri në minutat e fundit të ndeshjes. Për rezultatin përfundimtar 1-3 shënoi Alban Shillova i Prishtinës, për ta vulosur përfundimisht triumfin e Prishtinës në këtë duel.
Për më tepër, kjo ishte një finale që përballë vendosi dy trajnerë nga Maqedonia, Ardian Nuhiun e Dritës dhe Zekerija Ramadanin e Prishtinës, e sot fitues doli ky i fundit. Duelet mes tyre do të vazhdojnë, pasi që përveç luftës për titull në ligë, shorti i ka vendosur këto dy skuadra përballë edhe në Kupën e Kosovës.
Nëse flasim për statistika, kjo është hera e dhjetë që Prishtina e fiton këtë trofe, ndërsa e para që nga viti 2016.
Në anën tjetër, Drita e ka fituar vetëm një herë Superkupën, në vitin 2018 pasi e kishte mposhtur pikërisht Prishtinën në ndeshjen e parë në “Fadil Vokrri”-n e renovuar.