SUPERKUPA 2016
Prishtinë tjetër këtë stinor, nis me Superkupë
13 August, 2016 @17:45
Prishtina ka nisur stinorin 2016/17 me trofe. Bardhekaltërit kanë shënuar fitore në ndeshjen e vlefshme për Superkupë të Kosovës, duke e mposhtur kampionin aktual të Kosovës, Ferronikelin sot në Pejë, 1-2.
Golin vendimtar për Prishtinën e shënoi ish-reprezentuesi U21 i Shqipërisë dhe ish-lojtari i Vorsklas së Ukrainës, Ahmed Januzi, që u fut si zëvendësues në lojë, kur Kushtrim Munishi trajner, futi atë në vend të asistuesit të golit të parë dhe heroit të Kupës së Kosovës, Basit Abdul Khalid.
Prishtina u tregua mjaft stabile përkundër tentimeve të Ferronikelit për të barazuar ndeshjen. Tentimet e Mark Milicajt, Blerand Kurtishajt e të tjerëve nuk u konkretizuan, ndërsa as zëvendësimet si Mevlan Zeka e Përparim Livoreka në sulm të Afrim Tovërlanit, nuk ndërruan fatin e takimit.
Prishtina me Debatik Currin në qendër të fushës e Armend Dallkun kapiten, po duket një tjetër dimenzion, pasi që ish-lojtarët e kombëtares shqiptare po tregohen përkundër moshës së tyre në futbollin kosovar.
Pjesa e parë përfundoi me epërsi të Prishtinës. Endrit Krasniqi kishte shënuar golin e epërsisë për bardhekaltërit, pasi që kishte bërë një kombinim shumë të bukur me Basit Abdul Khalidin. Sidoqoftë, Ferronikeli barazoi përmes një penalltie të fituar heret, posa u futën në pjesën e dytë. E për Behar Maliqin, penalltitë nuk huqen. Maliqi i shënoi ish-ekipit të tij për të barazuar 1-1.
Fundjavën që vjen, nis Superliga e Kosovës ku Ferronikeli e nis ndaj Besës, ndërsa Prishtina ndaj Llapit.
Përndryshe, ky është trofeu i nëntë i Superkupës në histori të Prishtinës, prej të cilave dy i ka të fituara para luftës (1999).