PARASHIKIM
Sonte fillon elita franceze
Shkruan: Luan MORINA
12 August, 2016 @14:22
Ermir Lenjani dhe Lorik Cana do të vazhdojnë të qëndrojnë në Francë edhe gjatë vjeshtës. Derisa të dy do të kenë konkurrencë të madhe për të qenë startues, Stade Rennes i Lenjanit duket më afër të përfundoj në pjesën e epërme të renditjes.
Një problem kryesor për Ligue 1 është që vetëm katër pozitat e para kanë rëndësi. E pesta dhe e gjashta janë opsionale, varësisht nëse PSG vendos të fitoj edhe kupën dhe kupën e ligës në hakmarrje për mossuksesin në Ligën e Kampionëve.
PSG besoj që do të mbetet ekipi që do të përcaktoj ligën e Francës edhe këtë vit. E vetmja mangësi tek skuadra e sheikëve, tashti që kanë edhe trajner të mirë, është mungesa e sulmuesit rezervë. Cavani nuk mund të mbuloj i vetëm atë pozitë dhe mund të presim një 9sh gjatë javëve të mbetura. Më së shumti gjasa për të ardhur ka Lacazette i Lyonit.
Edhe nëse e shesin atë, Lyon s’do të mbetet keq në sulm falë Ghezzal e Fekir. Edhe pjesa tjetër e fushës tek skuadra e Aulas është mirë e mbuluar. Mammana e Tolisso janë dy emra që do të duhej të shpërthenin këtë vit. Megjithatë për Lyonin një kualifikim direkt në Ligën e Kampionëve dhe një kalim eventual i grupeve do të ishte sukses.
Monaco ka ekip edhe më të mirë, por rrallëkush që mund të shtyhet me kontinuitetin e PSG. Në mbrojtje tash kanë edhe Glikun me Jemerson, Fabinho, e Mendy për të bërë një linjë të mirë. Moutinho, Silva, Lemar, e Traore janë për mesfushë, mbrapa Falcaos e Carrillos. S’janë të dobët, por edhe s’janë për kampion.
Në fakt askush nuk mund të marr titullin e kampionit nëse është i angazhuar në Evropë. Këtë gajle nuk e ka Marseille tash e sa vite. Por, Olympique maksimumin që mund të synoj me një skuadër ku kanë Gomisin e Abou Diabyn si lider do të ishte Top6. S’janë pa talente – Rekik, Sakai, Thauvin, N’Koudou, e Leya Iseka. Por, ju duhet kohë.
St. Etienne e ka atë problemin për thyerjen e katërshes së parë. Gjithmonë janë afër, por në momentin që afrohen nisin të dështojnë dhe mbeten vetëm për Europa League. Më shumë besoj që e kanë problemin në pankinë se sa në fushë. Është koha për të larguar Christophe Galtier.
Skuadër të talentuar ka edhe Bordeaux, por jo të gatshme për të thyer katërshen e parë. Nice do të nisin sezonin me Lucien Favre, derisa interesante do të jetë të shohim si do të nisin sezonin Angers e Caen kësaj radhe. Gjithashtu Dijon kthehet në Ligue 1 për herë të dytë. Gjithçka nën 60 golat e sezonit 2011-12 do të ishte sukses.
Bashkë me Dijonin jashtë Ligue 1 vitin e ardhshëm e shoh edhe Metzin dhe Bastinë. PSG kampion, me Monacon dhe Lyonin në dy pozitat tjera për Ligën e Kampionëve. Tri pozitat vijuese të ndara ndërmjet Rennes, St. Etienne, e Bordeaux.