ANALIZË: PARASHIKIM
Nis sezoni i ri
Shkruan: Luan MORINA
13 August, 2016 @12:45
Që nga viti 2009 asnjë ekip në Premier League nuk ka arritur të mbroj titullin. Për më tepër ka pasur debakël kampionësh si rasti i Chelseat vitin e kaluar, e ndoshta edhe Leicester Cityt këtë vit. E as mos të flasim për paqartësi e secilit prej 380 dueleve në vit. Nuk ka fitues të sigurt të ndeshjes pa marrë parasysh ku pozicionohen ekipet. Shto këtyre emrat më të njohur të futbollit, dhe tash e tutje trajnerët më të mirë në planet, dhe ju bëhen më shumë se një milion arsye për të përcjellë këtë edicion të Premier League.
Diku ku është vështirë të parashikosh rezultatin e saktë të një ndeshje, është çmenduri ta parashikosh vajtjen e një sezoni. Mirëpo, ia vlen të provojmë. Edhe pse shanset që Crystal Palace ta fitoj këtë vit janë më poshtë se Leicester vitin e kaluar!
Në plan të parë, titulli do të duhej të shkonte në Manchester, me ngjyrën për tu përcaktuar më vonë. Por, përkundër blerjeve të emrave, asnjëri ekip nuk është i përkryer. Derisa sulmi i United përkundër moshës së Ibrahimovic i cili nuk mund të duroj presionin e futbollit angez do të mbulohet nga Rashford e Martial, mbrojtja e të kuqve nuk garanton sukses. Do të vuajnë nga mungesa e përvojës në vijën defensive dhe sigurisht nga lëndimet për të cilat janë të njohur shumica e emrave në mbrojte. Gjithashtu nuk mund të presin edhe një sezon mrekullish nga De Gea.
Derisa Unitedit i duhet një qendërmbrojtës, Cityt i duhet një sulmues. Aguero është i njohur për lëndime dhe nuk mjafton Bony për të konkurruar edhe në Champions. Krahët janë të mbipopulluar me papërvojë dhe paaftësi. Ata që kanë përvojë nuk kanë aftësi, ata që kanë aftësi nuk kanë përvojë dhe me një David Silva nuk mund të konkurrohet në të dyja fronet. Toure është pak në moshë, Gundogan është i prirë për t’u lënduar. E mbrojtja pos në qendër, krahët, e sidomos i djathti janë të dobët.
Probleme në krahë ka edhe Chelsea. Nejse, blutë kanë probleme në të gjitha repartet, por kanë një avantazh – nuk kanë Evropë. Por, stili i Contes do t’i kushtoj! Nuk besoj që do të mund të thyejnë pesëshen e parë.
Avantazh të ngjashëm kanë edhe Liverpool. Plus kanë një avantazh që nuk e ka kërkush, Kloppin edhe atë gjashtë muaj më herët se Chelsea, City, e United. Ndërrimi i trajnerit më herët i ka mundësuar Kloppit të bëj një vlerësim të ekipit dhe të largoj shumicën e bërllogut – nuk di çka po lypin aty Leiva e Balotelli akoma! Kanë bërë blerje të mençura në Mane dhe Wijnaldum, Matip mund të ndihmoj mbrojtjen, derisa Grujic është dikush që mund të befasoj këtë sezon! Mirëpo, kanë bomba të gatshme për të shpërthyer – Alberto Moreno i prirë për promajë dhe Mignoletin që të kujton Neuerin por pa një mbrojtje të mirë. Bëjnë mirë nëse mbajnë Benteken dhe Markovicin. Të dy kanë talente të dëshmuara para Liverpoolit dhe Klopp është njeriu më i përshtatshëm për të nxjerr në pah ato.
Spursave ju nevojitet edhe një qendërmbrojtës edhe pse Dier mund të konvertohet në këtë pozitë në rast nevoje. Të dy belgët janë të prirë për lëndime dhe Wimmer-Dier nuk duket dyshe kampioni! Janssen mund të ndihmoj kur Kane të nis agjërimin për periudha jo të shkurtra, derisa mesfusha është në rregull. Ju nevojitet më shumë përgatitje psikike për të përsëritur suksesin e vitit të kaluar.
Dyshe kampioni nuk duket as Koscielny-Mertesacker, apo edhe më zi Gabriel. Holding e Sano nuk mbyllin të gjitha vrimat e Arsenalit. Mesfusha është në rregull nëse u jepet prioritet Iwobit e Campbellit para Oxlade e Walcott. Xhaka mund të sjell sigurinë dhe pjekurinë e nevojshme në ekip. Por, me vete merr edhe kartonët e kuq jo të rrallë! Ju nevojitet një qendërmbrojtës dhe një qendërsulmues kulmor, jo ‘talente’ nga ekipet inferiore franceze. As Cavani! Përndryshe këtë vit rrezikojnë edhe më shumë se Ligën e Kampionëve.
West Ham ka befasuar vitin e kaluar për të mirë! Kanë shtuar krahë në mesfushë dhe Nordtveitin. Mbrojtja nuk është më e mira, por për të prish planet e të mëdhenjve bën!
Leicester City nuk do të përsërit titullin e kampionit! Ndoshta as Top4, por Kapustka e Musa japin shpresa. Për siguri nevojitet një qendërmbrojtës cilësor pasi Huth e Morgan s’mund të përsëritin vitin e kaluar.
WBA kanë qëndruar duarkryq këtë verë. Janë mirë për të luftuar për mbijetesë dhe largimi i Berahinhos s’do të ketë ndikim pasi kanë Rondonin.
Southamptonin rrini e shihni si do të shpërbëhet si Newcastle vitin e kaluar. Mund të shpëtojnë nëse ndërrojnë trajnerin me kohë, dhe ndoshta nëse Forster prodhon magji. Austin, Long, e Redmond nuk mjaftojnë për të mbetur në Top10, edhe pse kanë cilësi në të gjitha repartet.
Për top10 të denjë janë edhe Stoke City. Kanë ekip mirë të kompozuar nga trajner i aftë. Trajner të mirë ka edhe Everton që mëton të kthehet në Top10, por akoma gjithçka varet nga Lukaku nëse qëndron apo jo.
Xhamaxhitë kanë trajner të mirë gjithashtu. Towndsend ka ardhur për të përforcuar krahët dhe mesfushën ofensive ama nuk mjafton pa pasur një sulmues të hajrit. Edhe mbrojtja nuk është kushedi sa e mirë, sidomos në krahë.
Pa Ashley Williams, Swansea nuk është Swansea! Mund të rrezikojnë rënien! Rënien të sigurt falë trajnerit të ri do ta kenë edhe Watford. Sidomos nëse shesin Ighalon tek Crystal Palace apo Everton. Me pak fat Bournemouth do të mbetet në ligë edhe pse nuk kanë bërë shumë ndryshime. Edhe Sunderlandit i duhet një sulmues për të mbijetuar.
Burnley është një ekip që hyn e bie nga liga çdo vit. S’ka pse të jetë më ndryshe sivjet. Middlesbrough është kthyer për të qëndruar, derisa Hull City mund të befasoj qysh në ndeshjen e parë, por në maj do të duhej të bëheshin gati për Championship.
Pra, Hull City, Burnley e Watford bien nga liga. Titulli për momentin shkon në Manchester, Liverpool kthehet në ligë të kampionëve me njërën nga dy ekipet e Londrës – Spurs apo Arsenal. Chelsea jashtë Evropës, West Ham e Leicester për Top 6. Stoke e Crystal Palace në Top 10. Everton, Sunderland, WBA, Middlesbrough, e Bournemouth nga 10 deri 15, Southampton e Swansea shpëtojnë nga rënia! Por, deri në shtator ka shumë hapësirë për të bërë ndryshime në formacione, e gjithashtu vjen edhe afati i dimrit, kështu që ky parashikim mund të jetë goxha jo-relevant!
Pos yjeve në fushë e në pankinë, Premier League do të ketë edhe yjet tona. Valon Behrami, Shani Tarashaj, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Adnan Januzaj bajagi shqiptare ligën më të ndërkombëtarizuar. Është nder dhe motiv shtesë për neve të përcjellim Premier League edhe këtë vit, ligën më të mirë në botën e futbollit!