Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

AKUZAT FRANCEZE, BËJNË QË PALËT KOSOVARE TË REAGOJNË!

Përfitimet 360 mijë euro, Llapi e FFK reagojnë!

Pamje nga ndeshjet e vitit 2021, prill, kur Feronikeli fitonte 4-0 ndaj Llapit/ Foto: KFLlapi/ fb

Përfitimet 360 mijë euro, Llapi e FFK reagojnë!


25 February, 2023 @10:10

Vetëm reagime nga palët kosovare, derisa Llapi lëshoi një komunikatë në faqen e Facebookut të ekipit duke thënë se “nuk ka asnjë informatë të vetme të konfirmuar nga organet e hetuesisë rreth këtyre pretendimeve…” një ditë më vonë, FFK-ja bëri të ditur se “organet tona disiplinore do të ndërmarrin masat e nevojshme ndaj klubeve apo individëve për parregullsitë eventuale.”

Le Parisien for Kosovan Football Superleague

Me kaq u mbyll kapitulli dy-tre ditor i informacioneve dhe njoftimeve “bombë” që vinin nga Franca, dhe atë nga mediat prestigjioze si Le Parisien dhe Le Figaro, bazuar në një raport të institucionit hetimor, Juridiksionit të Specializuar të Nancyt (JIRS). 

Llapi reagoi kështu: Ndonëse vonë, me shkas po iu drejtohemi me këtë komunikatë për shtyp. Kryesia e K.F. Llapi ka analizuar me vëmendje shkrimet e fundit në portale dhe gazeta të ndryshme në të cilat është përmendur emri i klubit tonë kinse për kurdisje ndeshjesh. Ftojmë gjithë tifozët llapjanë që mos të bien pre e këtyre shkrimeve tendencioze dhe qëllim keqe që kanë për qëllim të njollosin emrin e klubeve të caktuara dhe vetë Superligës. K.F. Llapi ju njofton se nuk ka asnjë informatë të vetme të konfirmuar nga organet e hetuesisë rreth këtyre pretendimeve siq janë publikuara nga portalet dhe gazetat e ndryshme. Ne si klub nuk kemi as edhe më të voglin shqetësim rreth këtyre pretendimeve të pabaza dhe tendencioze dhe ftojmë edhe tifozët që mos të shqetësohen sepse nuk ka asgjë të vërtetë në këtë drejtim. Jemi të fokusuar 100% vetëm për ndeshjen me Prishtinën dhe nuk ka forcë që na ndal drejt arritjes së objektivave tona.

Feronikeli vs. Llapi.

JIRS bëri të ditur se katër ndeshje të kampionatit të Kosovës, saktësisht Superligës, janë të dyshuara për manipulim rezultatesh, ndërsa nga ndeshjet e përmendura deri tash ka dalë përballja e stinorit të kaluar Llapi - Feronikeli (klub ky, që tashmë është shuar me të rënë nga Superliga, më pas pa sqaruar FFK si, ekipi u fuzionua me një ekip tjetër Fortuna nga Drenasi, si klub i ri garon në Ligë të Parë nën emrin Feronikeli’74). Kjo ndeshje prej 4-0 në të mirë të Llapit, kishte përfunduar 4-2!

Sipas informatave të shkruara në këto media franceze, thuhet se Shërbimi Qendror i Garave dhe Lojërave (SCCJ) në Francë ka bërë hetime për pothuajse 1-vjet për dyshimet që lidhen me klubin nga Kosova. Në disa raste, kurdisjet e rezultateve vlerësohen si të konfirmuara, bazuar në analizimet e koeficientëve, videoinçizimeve dhe vlerësimit të specialistëve të këtyre punëve.

Le Figaro for Kosovan Football Superleague

Nga këto ndeshje persona të paidentifikuar, prej të cilëve nëntë të arrestuar, janë bërë përfitime në shumën prej 360 mijë eurosh. Mosha e tyre është prej 24 deri në 50 vjeç.

“Së paku 4 ndeshje të kampionatit të Kosovës janë përfshirë...”, ”...anëtarë të një familjeje të gjerë me bazë në Francë dhe Kosovë...”, ”...manipulim i ndeshjeve të caktuara për të siguruar bastet për rezultatet e ndeshjeve, që diheshin para kohe…”, janë vetëm disa nga fjalitë e përdorura të JIRS në këto njoftime, për të cilat mbetet të shihet se cfare do të ndodhë përgjatë vitit!

Ndërsa FFK-ja, me KE-në e saj të famshme, reagoi në këtë mënyrë: Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, shqyrtoi raportimet lidhur me pretendimet në mediat lokale dhe ndërkombëtare për parregullsi në ndeshje të Superligës së Kosovës. KE ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për ta hulumtuar rastin dhe për ta adresuar atë në mënyrë urgjente tek organet kompetente. KE i FFK-së e ftoi në raportim zyrtarin për Integritet të Garave dhe i njëjti vuri në pah se në vazhdimësi i ka raportuar të gjitha çështjet dhe parregullsitë potenciale tek Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe dukurive tjera negative në sport, si organ kompetent në Republikën e Kosovës që merret me dukuritë negative. Zyrtari për Integritet të Garave e njoftoi KE-në se në vazhdimësi ka qenë në kontakt edhe me zyrtarët e UEFA-s dhe për çdo parregullsi e ka informuar Këshillin e lartpërmendur dhe nëse ka pasur nevojë edhe organet disiplinore. FFK, së bashku me autoritetet në Kosovë, do të koordinohet me UEFA-n dhe organet tjera ndërkombëtare për hetimin e këtij rasti dhe varësisht prej rezultateve të hetimit, organet tona disiplinore do të ndërmarrin masat e nevojshme ndaj klubeve apo individëve të përfshirë në parregullsitë eventuale. FFK, rikujton se tash e disa vjet nëpërmjet zyrtarit të saj për Integritet të Garave dhe UEFA-në, kanë mbajtur seminare dhe takime me stafe të klubeve dhe futbollistë për sensibilizim në parandalimin e ndërhyrjeve të keqbërësve në futboll, teksa në vazhdimësi i monitoron të gjitha ndeshjet, në partneritet të plotë me kompanitë e aranzhuara nga UEFA rreth kësaj çështje. FFK është plotësisht e gatshme të bashkëpunojmë me çdo autoritet të Republikës së Kosovës dhe me ato ndërkombëtare, në mënyrë që të ruhet integriteti i futbollit dhe i sportit kosovar në përgjithësi. Kampionati ynë vitet e fundit është rritur jashtëzakonisht shumë si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në atë të organizimit dhe të investimeve, prandaj si FFK do të qëndrojmë vigjilent dhe do të jemi zero tolerant ndaj keqpërdoruesve dhe çdo gjëje që e njollos integritetin e garës dhe imazhin e futbollit tonë.

 

 


 
Të gjitha lajmet nga