SHPRESAT
Përkundër humbjes, debutim dinjitoz i Kosovës
25 March, 2017 @15:50
Në ndeshjen debutuese në garat ndërkombëtare, Përfaqësuesja e Kosovës U21 ka pësuar humbje minimale nga përfaqësuesja e Irlandës në Dublin.
Takimi që ishte i vlefshëm për kualifikimet drejt Kampionatit Evropian 2019, u mbyll me rezultat 1-0, derisa goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Shodipo i vendasve në minutën e 56’.
Përfaqësuesja e Kosovës startoi me 6 lojtarë të Superligës dhe zhvilloi një paraqitje të kënaqshme, derisa rastet më të mira të ndeshjes ishin për Mendurim Hotin, i cili e goditi dy herë shtyllën në pjesën e dytë. Përveç dy shtyllave, Kosova regjistroi edhe 4 gjuajtje të tjera në portën e irlandezëve, mirëpo goli nuk u gjet në asnjë moment.
Në kuadër të këtyre eliminatoreve, Kosova ndodhet në Grupin 5 dhe përveç Irlandës, në grup ka edhe Norvegjinë, Gjermaninë, Izraelin dhe Azerbejxhanin.