1/8: PRISHTINA - DRENICA
Përmbysje për kualifikim, Prishtina në çerekfinale
6 February, 2022 @16:17
Me përmbysje dhe pas 120 minutave lojë, Prishtina ka arritur të kalojë në çerekfinale të Kupës së Kosovës.
Skuadra kryeqytetase e eliminoi sot Drenicën, të cilën e mposhti 2-1 pas vazhdimeve, pasi që koha e rregullt u mbyll 1-1.
Në fakt Prishtina ishte shumë pranë eliminimit, por goli i Besnik Krasniqit në kohën shtesë (90+5’) e çoi ndeshjen në vazhdime, e më pas Prishtina fitoi.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, e rezultati mbeti i bardhë deri në minutën e 61’ të ndeshjes.
Në minutën e 61’, Kreshnik Uka, që kaloi një stinor vjeshtor fantastik, shënoi për 0-1 të Drenicës. Lojtari në fjalë është në “pronësi” të Prishtinës, por për momentin është i huazuar te Drenica.
Epërsinë e krijuar Drenica e mbajti deri krejt pak para fundit, por në minutën e 90+5’, vendasit e fituan një penallti, nga e cila i saktë u tregua Besnik Krasniqi, për ta dërguar kështu ndeshjen në vazhdime.
Pastaj, në minutën e tretë të shtesës së parë, për Prishtinën shënoi Sadam Sulley, sulmuesi i ardhur këtë janar, dhe kështu Prishtina kaloi në epërsi 2-1, të cilën e ruajti deri në fund dhe rrjedhimisht e arriti fitoren e kualifikimin.
Fitorja e shënuar sot e kualifikon Prishtinën në çerekfinale të Kupës, trofe të cilin kryeqytetasit e kanë fituar 7 herë në histori.