PORTUGALIA - FRANCA
Pikët ndahen, rekordi për Ronaldon, kreu për Francën
23 June, 2021 @22:51
Franca e ka mbyllur fazën grupore në krye të renditjes në ‘grupin e vdekjes’, duke arritur të mbizotërojë në një grup të vështirë me Gjermaninë e Portugalinë.
Tre kolorët në ndeshjen e tretë të grupit barazuan me Portugalinë me rezultat 2-2, për t’i ndarë kështu pikët secila nga një, e që në fakt i shkoi më shumë në dobi të francezëve.
Te Portugalia që të dy golat u shënuan nga penalltia nëpërmjet Cristiano Ronaldos (31’, 60’), i cili me këtë rast barazoi rekordin e Ali Daeit të Iranit, për numrin e golave maksimal të shënuara me kombëtare - 109.
Ronaldo gjithashtu u bë edhe lojtari i parë në histori që shënoi mbi 20 gola në kampionate evropiane dhe botërore.
Ndërkaq, në anën tjetër, te Franca baraspeshën e ruajti Karim Benzema i cili shënoi po ashtu dy gola, njërin nga penalltia (45’+2) dhe tjetrin nga loja pas asistimit të Paul Pogbas (47’).
Franca në fazën e ardhshme do të përballen me Zvicrën e Xhakës, Shaqirit dhe Mehmedit, derisa Portugalia do të ketë punë me përfaqësuesen e Belgjikës.