FFK

BOROZANI/ Erdis Driza
Pranimi në FIFA dhe UEFA, vetëm formalitet
29 July, 2015 @16:55
Në kualifikimet për Kampionatin Botëror ka gjasa të mëdha që të jetë pjesëmarrëse edhe përfaqësuesja e Kosovës.
Megjithëse ditë më parë ishte hedhur shorti i kualifikimeve, ekziston mundësia që edhe Kosova të inkuadrohet në këtë garë, pasi shumë shpejtë pritet pranimi zyrtar ndërkombëtarisht.
Sipas raportimeve të fundit nga mediat e huaja, kryetari i FFK-së, sot ka marrë premtim nga presidenti i UEFA-së, Michel Platini, për pjesëmarrje në kualifikimet e Botërorit.
”Është reale të pritet anëtarësimi me të drejta të plota në fillim të vitit të ardhshëm kur edhe do të mbahet Kongresi i ardhshëm i UEFA-së. Presidenti Platini na ka sigururar se kjo do të jetë një kongres formaliteti, pasi pranimi i Kosovës duket të jetë punë e kryer,” citohet të ketë thënë kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, transmeton e përditshmja kroate në versionin e saj online, Jutarnji.hr.
Në rast të inkuadrimit të Kosovës në kualifikimet për Botëror, ajo pritet t’i bashkohet grupit H (Belgjika, Bosnja, Greqia, Estonia, Qipro) ose grupit I (Kroacia, Islanda, Ukraina, Turqia, Finlanda), që janë dy grupet e vetme me pesë ekipe, ndryshe nga të tjerat që janë me nga gjashtë ekipe.
Presidenti aktual i UEFA-së, Michel Platini, tashmë është kandiduar edhe zyrtarisht për president të ardhshëm të FIFA-s, që mund të shpallet pas zgjedhjeve të muajit shkurt të vitit të ardhshëm, dhe ky fakt mund ta lehtësojë edhe më shumë punën e pranimit të Kosovës në UEFA, duke pasur parasysh premtimet e dhëna tek kryetari i FFK-së.
Për ndryshe, Kosova kishte dërguar zyrtarisht në UEFA aplikimin për anëtarësim gjatë muajit mars të këtij viti.