Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PARASHIKIM

Premier League 2020/2021, parashikim

Premier League 2020/2021, parashikim


Shkruan: G.P

11 September, 2020 @16:14

Një ditë para fillimit të sezonit të ri të Premier Leagues, le të tentojmë t’ia qëllojmë se kush ku do ta mbyllë sezonin.

Natyrisht, shumë gjëra mund të ndryshojnë bazuar në përforcimet që mund të bëjnë klubet edhe pasi sezoni të fillojë, mirëpo është më “interesant” që parashikimet të bëhën pa filluar ende liga.

Duke e ditur që tekstet e gjata janë (zakonisht) të ‘bajatshme’, le të fillojmë menjëherë me parashikimet:

Me përforcimet në mbrojtje dhe duke supozuar që do të kenë më pak lëndime se sezonin e kaluar, kampion i sezonit që vjen parashikoj të jetë Manchester City.

Vendi i dytë duhet t’i takojë Liverpoolit, që bashkë me Cityn janë ende larg skuadrave të tjera të Premier Leagues. Transferimet, të paktën në letër, mund ta afrojnë Chelsean me dy të parët, mirëpo nuk mund ta çojnë më lart se vendi i tretë, duke njohur mirë dy skuadrat e para.

E për vendin e katërt përsëri pritet të jetë një luftë mes skuadrave që lëshojnë pafund pikë: Unitedit, Arsenalit e Tottenhamit. Duke qenë i bindur se United do të përforcohet edhe pasi sezoni të ketë filluar, vendin e katërt e shoh t’i takojë kësaj skuadre.

Arsenali e Tottenhami më pas renditen në pozitat pesë dhe gjashtë, para Wolverhamptonit, Leicesterit e Evertonit. Ky i fundit është “ekipi për t’u shikuar”, me Ancelottin që ka bërë transferime më të mençura se ato që i ka bërë Evertoni këto vitet e fundit.

Top 10-shen pres që ta kompletojë Sheffield Unitedi, që mund të rrezikohet edhe nga Leedsi i Bielsas. Përveç stilit të lojës tashmë të adaptuar, Leeds ka sjellë edhe 10 përforcime deri tash, ndërkohë që ka larguar vetëm një lojtar.

Fatin e vitit të kaluar nuk besojë ta ketë përsëri Aston Villa, e cila besoj se sezonin do ta mbyllë në një prej tri vendeve të fundit bashkë me Fulhamin e West Bromin.

Përveç renditjes, parashikoj që trajneri i i parë i shkarkuar të jetë David Moyes i West Hamit, ndërsa dikur gjatë sezonit pres të shkarkohet edhe Jose Mourinho dhe më pas e shoh një largim të Harry Kane nga kjo skuadër verën e ardhshme, me gjasë drejt Real Madridit apo Unitedit. Ndoshta mund të kemi edhe ndonjë rikthim të Pochettinos te Spurs në ndërkohë...

Në përgjithësi, sezoni do të jetë më i “ngjeshur” dhe me më shumë lëndime se zakonisht. Sezoni fillon më vonë, mbyllet në maj si zakonisht, ndërkohë që shumica e skuadrave nuk kanë kryer as parasezon si duhet.

Megjithatë, është Premier League dhe nuk zhgënjen asnjëherë!



i: Shkrimi është personal dhe nuk paraqet mendimet e redaksisë.


 
Të gjitha lajmet nga Premier League