Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TRIUMF I KRYEQYTETASVE

Prishtina bëhet çerekfinalistja e fundit

Fotot: KFPrishtina/fb

Prishtina bëhet çerekfinalistja e fundit


6 February, 2023 @15:13

Jalen Miller Blesa ka debutuar me gol në ndeshjen e parë zyrtare për Prishtinën që prej ardhjes së tij nga Rahoveci, ndërsa bardhekaltërit e Ismet Munishit kanë shënuar fitore rutinore në ndeshjen e fundit të së tetës së finales së Kupës së Kosovës, duke e eliminuar Dukagjinin e Klinës me rezultat 3-1 [Leotrim Kryeziu 11, Miller Blesa 22, 50 - Vladyslav Khomutov 78].

Dominimi i bërë në pjesë të parë të ndeshjes ka rezultuar të jetë vendimtar për kryeqytetasit, të cilët parakaluan pa telashe shtesë në pjesë të dytë duke e mbrojtur rezultatin për të siguruar biletën e fundit për cerekfinale të Kupës së Kosovës.

Jalen Miller Blesa @ Prishtina

Te Dukagjini, ukrainasi Vladyslav Khomutov shënoi golin e nderit dhe ekipi i Armend Dallkut me kaq u përshëndet nga Kupa e Kosovës për këtë stinor. Kujtojmë, Dukagjini kishte arritur finalen e Kupës dy stinorë më parë, kur ishin mposhtur nga Llapi në finale të Kupës vetëm pas penalltive. Prishtina, ndërkaq, trumfin e fundit në Kupë të Kosovës e ka në sezonin 2019/20 kur në finale mposhtën Ballkanin me golin Oto Johnit për të ngritur trofeun.

Tashmë janë kompletuar të gjithë çerekfinalistët e Kupës, ndërsa pritet të hidhet shorti nga Federata, ashtu që të kuptohen rivalët e radhës në rrugëtimin për trofeun e garës më masovike në futbollin tonë.

Çerekfinalistët: Prishtina, Llapi, Behari, Feronikeli’74, Vushtrria, Gjilani, Ballkani, Malisheva.

 


 
Të gjitha lajmet nga Kupa e Kosovës