FITOJNË DHE BËHEN LIDERË
Prishtina e Re merr kreun duke mposhtur 2 Korrikun
Teksti: 2korriku.com
24 February, 2024 @22:40
Derbi i skuadrave nga Prishtina, 2 Korrikut e Prishtinës së Re, ka prodhuar një gol e një fituese. Goli i ish-it të ‘verdhebluve’, Vigan Ademit, ishte vendimtar dhe i dha fitoren e vendin e parë në renditje ekipit të tij.
Ndeshje interesante dhe me shumë duele e raste për shënim ishte e sotmja e zhvilluar në stadiumin ‘2 Korriku’; fillimi i takimit ishte më i zbehtë, teksa e mori ‘veten’ pasi kaluan afro njëzet minuta. Saktësiht në minutën 24’, harkimin e Andi Oruqit e ktheu në gol Ardit Gashi, por i njëjti u anulua për pozitë jashtë loje nga gjyqari anësor Ramadan Bekteshi – vendim shumë diskutabil ky, por i qartësuar pas ri-shikimit të pamjeve, të cilat i dhanë plotësisht të drejtë anësorit në anulimin e golit, vendim ky për t’u duartrokitur.
Ndeshja sa shkonte e bëhej më interesante. 2 Korriku e pa veten sërish në rast shënimi, kësaj radhe në minutën 28’, kur Hyseni krosoi për Gashin që goditi me kokë, por nuk u befasua portieri Bislimi, që e ndali goditjen pa problem.
Ekipet vazhduan me ritëm të kënaqshëm të lojës, ndërsa për t’u çuditur ishin disa vendime të gjyqtarit kryesor Gentrit Zogaj, i cili ‘vend e pa vend’ ndëshkonte futbollistët e zyrtarët e ndeshjes me kartonë të verdhë.
Vendim diskutabil i Zogajt ishte edhe ai në minutat shtesë të pjesës së parë, kur Prishtina e Re kërkoi penallti, por njësoj nuk mendoi gjytqtari që pas këtij aksioni mbylli fraksionin e parë të ndeshjes.
Pjesa e dytë ishte me ritëm paksa më të ulët, por sërish rastet nuk munguan. I pari që rrezikoi ishte Gustavo i 2 Korrikut në minutën 48’, kur goditi fuqishëm por topi shkoi mbi portë. Dymbëdhjetë minuta më pas ishte rreziku i radhës nga radhët e ‘verdhebluve’, kur Oruqi harkoi për Ardit Gashin shtatgjatë që goditi me kokë, por topi shkoi shumë pranë portës.
Pak minuta më pas, pas vetëm dy minutash inkuadrim në ndeshje, Vigan Ademi u gjet mirë në zonën e vendësve dhe me këmbën e majtë shënoi për 0:1. Goli rëndoi situatën, por nuk humbi motivin e skuadrës së 2 Korrikut, që sërish u ngrit për ta kërkuar golin.
Ndonëse vendësit ishin më kërkues, rastet nisën t’i takojnë ekipit mysafir. Shtatgjati Urim Statovci pa veten në dy raste të jashtëzakonshme për shënim, por goditja e parë u bllokua nga tollovia e krijuar në zonë, ndërsa të dytën e dërgoi jashtë portës, ani pse ishte i vetëm me portierin Neziri.
Deri në fund të ndeshjes iniciativa i takoi 2 Korrikut, por pa rrezikuar me ndonjë rast konkret, ndërsa në anën tjetër, Kithambo pati mundësi të artë të shënoi i vetëm përballë Nezirit dhe ta dërgoi rezultatin në 0:2, por topi shkoi jashtë dhe portat më nuk u prekën, duke bërë që ndeshja të mbyllet me rezultatin 0:1.
Pas kësaj ndeshjeje, 2 Korriku vazhdon në pozitën e gjashtë të paktën deri nesër, ndërsa në xhiron e radhës udhëton në Vushtrri për t’u përballur me skuadrën që mban emrin e këtij qyteti. Prishtina e Re bëhet lidere e Grupit B në Ligë të Parë me 36 pikë nga 16 ndeshje.
Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Gjashtëmbëdhjetë
FC 2 Korriku – KF Prishtina e Re 0:1
Golashënues: Vigan Ademi 65’
Gjyqtarët e ndeshjes: Gentrit Zogaj (Lipjan), Visar Kelmendi (Pejë), Ramadan Bekteshi (Prishtinë), Festina Koxha (Ferizaj)
Delegat i ndeshjes: Shemsedin Abazi (Kaqanik)
Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Naser Ajvazi (Podujevë)
Formacioni startues i 2 Korrikut: Flamur Neziri, Andi Namoni, Abit Salihu, Agron Beqiri, Milot Hyseni, Andi Oruqi /kap./, Gneilpekan Marius Camara, Shqiprim Kelmendi, Aurel Limani, Ardit Gashi, Gustavo H. S. Faria. Kryetrajner: Besim Ademi.
U inkuadruan edhe: Nderim Abdullahu 63’, Ilir Sedolli 75’, Londrit Hamidi 75’, Olt Pllana 75’, Miftar Avdiu 86’
Formacioni startues i Prishtinës së Re: Egzon Bislimi, Dardan Jashari, Fatlind Azizi, Fehmi Dragusha, Lorik Dobratiqi, Samir Sadriu /kap./, Labinot Jetullahu, Agustin Daniel Rojas, Egzon Elshani, Kreshnik Bahtiri, Urim Statovci. Kryetrajner: Elon Berisha.
U inkuadruan edhe: Endrit Baholli 63’, Vigan Ademi 63’, Jackson Ferreira Silverioi 78’, Darnell J. M. Kithambo 88’, Flamur Bajrami 88’