LIPJANASIT FITOJNË DERBIN!
Me golat e Bajramit, Ulpiana ia shkakton humbjen e parë Ferizajit pas gjashtë xhirosh!
23 February, 2024 @15:25
Gjashtë fitore me radhë ishte seria e Ferizajit. Por sot ata u ndalën. Arsim Abazi pësoi humbjen e parë prej se u rikthye në postin e kryetrajnerit, ndërsa Ulpiana fitoi derbin e Ligës së Parë - Grupi B.
E zhvilluar në stadium me bar sintetik të Ferizajit, ndeshja prodhoi gjithçka dhe kryesoren - shumë gola. Ulpiana doli fituese për të vazhduar me fitore në pjesën pranverore të stinorit dhe të tretën radhazi. Aktualisht, pa u luajtur ndeshjet tjera të xhiros, ata janë të parët në renditjen tabelare pas fitores së sotme.
Ka qenë sulmuesi Alket Bajrami që është treguar i pamëshirshëm karshi portës kundërshtare dhe realizoi dy herë për fitoren e madhe të ekipit të tij, ndërsa festonte duke ngritur fanellën ku i dukej maica me mbishkimin “For You Dad” - pasi që ditë më parë Ulpiana u nda me trajnerin Emin Bajrami.
Sokol Kiqina i ardhur te Ferizaji në fund të dhjetorit shënoi dy herë për ekipin e tij, për t’ia dhënë dy herë epërsinë, por mysafirët kundërpërgjigjeshin për të shkuar në pushim me barazim 2-2. E në fillim të pjesës së dytë, goli i dytë i Alket Bajramit vulosi fatin e takimit sa i përket rezultatit, Ferizaji 2-3 Ulpiana [Sokol Kiqina 18’, 43’ - Leon Selimi 45’, Alket Bajrami 32’, 50’].
Në minutën e 80. Ulpiana mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi që pas rishikimit në VAR, Albion Murturi u ndëshkua me karton të kuq për faul të rrezikshëm. Ferizaji dominoi plotësisht minutat e mbetura të ndeshjes dhe kohën shtesë, ndërsa Kiqina përsëri kishte rastin më të mirë, kur nga gjuajtja e lirë qëlloi shtyllën e portës mysafire - mirëpo, edhe pas disa rasteve goli nuk erdhi dhe ferizajasit u detyruan të pajtohen me disfatën e parë pranverore.
Pas 16 ndeshjesh të luajtura, Ferizaji është i katërti — për momentin — në Ligën e Parë - Grupi B me 32 pikë, ndërsa Ulpiana e para me 34 pikë. Në xhiron e radhës Ferizaji udhëton në Kamenicë për tu ndeshur me Kikën, ndërsa Ulpiana udhëton në Shtimje për të luajtur derbin e radhës të kreut, ndaj Vjosës.