Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NË PRANVERË ME STAF TË RI TRAJNERËSH

Nazmi Rama - emërohet kryetrajner i Vllaznisë

Foto: KFVllaznia/ fb

Nazmi Rama - emërohet kryetrajner i Vllaznisë


8 February, 2024 @10:51

Nazmi Rama është trajner i ri i Vllaznisë së Pozharanit që garon në Ligën e Parë - Grupi B. Trajneri me përvojë dhe i njohur për futbollin kosovar, është zyrtarizuar ditë më parë si trajner i ekipit të Vllaznisë, ndërsa ekipi synon që të arrijë qëllimet me atë.

Në njoftimin e shkurtër për angazhimin e Ramës në ekip, Vllaznia ka bërë të ditur se ndihmës i tij do të jetë një tjetër futbollist i njohur i viteve të pasluftës, Sheremet Isufi. Ai do të krejë detyrën e ndihmës-trajnerit te Vllaznia.

“Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se kemi arritur marrëveshje me trajnerin e mirënjohur z. Nazmi Rama dhe me nd. trajnerin Sheremet Isufi që për këtë sezon ta udhëheqin klubin tonë drejt qëllimit që kemi,” ka shkruar njoftimi i Vllaznisë.

Nazmi Rama @ Vllaznia Pozharan

Vllaznia ka kryer fazën përgatitore në Durrës të Shqipërisë, ndërsa ekipi do të luftojë për mbijetesë në Ligë të Parë, pasi që ekipi është në pozitë të fundit pas stinorit vjeshtor.

Pozharanasit kanë 10 pikë nga 14 xhirot e para të pjesës vjeshtore të stinorit 2023/24, ndërsa para tyre kanë Vushtrrinë me 11, Flamurtarin me 12 dhe Kikën me 13 pikë. Lufta për mbijetesë do të jetë e ashpër në këtë grup të Ligës së Parë.

Përndryshe Rama në vitet e fundit ka punuar kryesisht me ekipet e Ligës së Parë, mes tjerash me A&N-në, Istogun dhe Dukagjinin e Klinës. Gjatë pjesës vjeshtore të stinorit, Vllaznia u drejtua nga trajneri Erdin Hashani, që më parë kishte sjellë Vjosën në Ligë të Parë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë