MIQËSORJA
Prishtina gati për Sivassporin
2 September, 2015 @14:59
Skuadra e Prishtinës sot ka mbajtur një konferencë për shtyp para nisjes për në Turqi, ku do të zhvillojë një ndeshje miqësore kundër skuadrës nga Superliga e Turqisë, Sivasspor.
Në konferencë të pranishëm ishin kryetari i klubit, Remzi Ejupi, drejtori Sokol Krasniqi, kryetrajneri Ramiz Krasniqi dhe futbollistët Driton Krasniqi dhe Labinot Osmani, derisa i pranishëm ishte edhe Mehmet Yarar, përfaqësuesi nga skuadra e Sivassporit.
Bardhekaltërit janë nisur sot në ora 14:00 drejtë aeroportit Adem Jashari, prej nga do të vazhdojnë rrugëtimin për në Sivas.
Ndeshja ndërmjet Sivassporit dhe Prishtinës do të luhet më 4 shtator të premtën në ora 17:30 në stadiumin “4 Eylul” të Sivasit, derisa ekipi prishtinas do të qëndrojë deri të dielën në qytetin turk.
Ky do të jetë takimi i dytë ndërmjet Prishtinës dhe Sivassporit, pasi që këto dy skuadra ishin përballur edhe vitin e kaluar në Prishtinë, kur ekipi turk kishte triumfuar me rezultat 0-2.