PRISHTINA

FC Prishtina Official Site
Prishtina prezenton Shkëmbim Salihun
16 December, 2013 @20:18
Prishtina ka kompletuar transferimin e parë për afatin kalimtar të dimrit.
Kampionja aktuale e Kosovës në futboll është përforcuar me sulmuesin nga Ferizaji, Shkëmbim Salihu, i cili u prezentua sot para mediave në konferencë.
“Prishtinën kam vendosur ta pranojë pasi është ekipi më profesional në Kosovë dhe ke mundësi të mira që të zhvillohesh edhe më tej. Një ndër arsyet që e zgjodha Prishtinën është edhe mundësia e kalimit jashtë vendit,” ka thënë Salihu, i kënaqur me transferimin e tij te bardhekaltërit.
Ndërsa kryetrajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani, i cili po ashtu ishte i pranishëm në konferencë, tha se skuadra ka pasur nevojë për një lojtar siç është Salihu.
“Prej Shkëmbimit presim gola, pasi që në vjeshtë e kemi pasur pikën më të dobët,” tha Tovërlani.
“Edhe dy përforcime” ─ Afrim Tovërlani
Më tej, Tovërlani shtoi se ekipi i Prishtinës nuk do të ndalet me kaq, pasi që synon të përforcohet edhe me dy lojtarë të tjerë, përkatësisht një sulmues dhe një mesfushor.
“Tre futbollistë i kemi liruar, ndërsa besojmë se do t’i transferojmë dy tjerë ku shpresojmë se do të jemi shumë të fortë dhe nuk kemi hequr dorë nga titulli, por do ta ndjekim atë deri në fund. Prishtinës i duhen edhe dy lojtarë që ta mbrojë titullin e fituar vitin e kaluar. Na duhen një sulmues dhe një mesfushor.”
“Emrat që janë përfolur nëpër media nuk janë të vërtet, asnjëherë s’jam interesuar për ta, përveç, Astrit Fazliut i cili ka qenë afër transferimit tek ne, mirëpo ka pranuar se ka ofertë më të mirë nga Shkëndija e Tetovës,” përfundoi Tovërlani.
Shkëmbim Salihu ka shënuar gjashtë gola deri më tani në këtë stinor me fanellën e Ferizajit, kurse skuadra e tij e re, Prishtina, ka kompletuar stinorin vjeshtor në pozitën e pestë me 27 pikë, duke qenë 10 pikë larg kreut, të cilin e mban skuadra vushtrriase, Llamkos Kosova.