PRISHTINA - ST JOSEPH'S
Prishtina s’fiton në shtëpi, shpreson në ndeshjen e kthimit
27 June, 2019 @22:42
Edhe pse ishte dukshëm favorite për të shënuar fitore, Prishtina në ndeshjen e parë në fazën preliminare në kuadër të Europa Leagues, barazoi 1-1 ndaj skuadrës St Joseph’s nga Gjibraltari.
Goli i parë në ndeshje erdhi nga pika e bardhë në minutën e 28’, ku nuk gaboi kapiteni Armend Dallku.
Gëzimi i Prishtinës zgjati vetëm 3 minuta, me mysafirët që barazuan përmes Juan Penas në minutën e 31’.
Në pjesën e dytë, skuadra e trajnerit Mirel Josa, e kërkoi fitoren më shumë se kundërshtari, por goli i dytë nuk erdhi dhe ndeshja u mbyll me barazim, një rezultat jo i dëshiruar për kryeqytetasit.
Prishtina do të shpresojë në ndeshjen kthyese që do të luhet më 2 korrik në Gjibraltar, takim të cilin Prishtina e nis me disavantazh për shkak të golit të pësuar dhe barazimit në shtëpi.