ST JOSEPH'S - PRISHTINA
Prishtina zhgënjen përsëri, mposhtet dhe eliminohet
2 July, 2019 @19:38
Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në shtëpi, Prishtina ka zhgënjyer edhe në ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës St Joseph’s në Gjibraltar, ndeshje e cila ishte e vlefshme për raundin paraeliminar të Europa Leagues.
Kryeqytetasit, edhe pse ishin favoritë absolut për ta kaluar këtë rreth paraeliminar të Europa Leagues, sonte u mposhtën me rezultat 2-0, për t’u eliminuar kështu nga kundërshtari i parë që i doli përballë, një skuadër nga Gjibraltari.
Padyshim rol në humbjen e Prishtinës luajtën përjashtimet e Leotrim Bekteshit dhe Armend Dallkut në fillim të pjesës së dytë kur rezultati ishte akoma 0-0, e më pas në pjesën tjetër të ndeshjes vendasit e shfrytëzuan epërsinë numerike dhe arritën ta shënojnë dy herë (Villar 75’, Juanfri 80’), për ta fituar kështu duelin e sontëm dhe për të kaluar kështu në fazën tjetër të garës, ku do të ndeshen me skuadrën skoceze Rangers.
Pak para fundit nga loja u përjashtua edhe një lojtar i skuadrës vendase, mirëpo kjo nuk luajti rol në epilogun final të takimit, me ndeshjen që veçse ishte e mbyllur.
Me Prishtinën që përshëndetet nga garat evropiane sonte, nga Kosova momentalisht në garat evropiane ndodhet Feronikeli, i cili e ka kaluar rrethin paraeliminar në Ligë të Kampionëve dhe garat i vazhdon në rrethin e parë kualifikues ndaj skuadrës The New Saints nga Uellsi.