LËNDIMI
Probleme për Shqipërinë, Mavraj mungon ndaj Italisë
3 March, 2017 @16:25
Derisa po afrohet ndeshja e radhës kualifikuese për Botëror e Shqipërisë, ku do të takohet me Italinë më 24 mars, telashet po shtohen dita ditës.
Sot në konferencën e organizuar nga skuadra gjermane, Hamburg, është njoftuar për lëndimin e pësuar nga qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj.
“Mavraj ka pësuar një lëndim tek gjuri, gjatë ndeshjes së Kupës. Ai pritet të mungojë për rreth 4 javë,” është thënë në këtë konferencë, që u mbajt nga trajneri i Hamburgut, Markus Gisdol.
Ky lajm e ka futur në telashe të mëdha kombëtaren e Shqipërisë, e cila tashmë tani do të jetë edhe më e kufizuar në përzgjedhjen e lojtarëve në vijën e mbrojtjes.
Siç dihet, përgjedhësi Gianni De Biasi nuk do të mund të llogarisë për ndeshjen ndaj Italisë Berat Xhimshitin, i cili është i suspenduar për shkak të kartonit të kuq në ndeshjen e fundit, derisa edhe forma jo e mirë aktuale e Arlind Ajetit, është shqetësim shtesë për teknikun italian.