KOLUMNE
Na ishte një herë Ranieri!
Shkruan: Luan MORINA
3 March, 2017 @9:40
Me një mënyrë apo tjetrën, e konsideroj të fituar bastin me Gentin! Pasi Ranieri nuk është më trajner i Leicester Cityt! Por, anash këto beteja të brendshme të stafit që të kujton ‘Captain America: Civil War,’ largimi i Claudio Ranierit është një moment tepër pikëllues. Megjithatë, jeta është e mbushur me vendime të zorshme të cilat sado që të jenë të dhimbshme, megjithatë duhet të merren!
LARGIMI, I PAMOHUESHËM
Njerëzit mund të ankohen tek pronarët tajlandezë për largimin e Ranierit; mund të akuzojnë lojtarët që gjoja kanë organizuar njëlloj puçi; e mund të gjejnë milionë arsye tjera, por largimi i Ranierit ka qenë i pamohueshëm.
Leicester nuk kishte shënuar gol që nga dhjetori në Premier League, ishte eliminuar nga FA Cup, derisa ishte gati edhe nga rënia prej Ligës së Kampionëve. Dhe, sado që Kante të jetë i mirë, largimi i një lojtari të vetëm mund të lëndoj ekipin, të mbaj aty kah pozita e shtatë-tetë, pas gjashtëshes së madhe në Angli, por të luftojnë për mbijetesë është faj i keq-menaxhimit.
AFATSHKURTËRI
Ranieri kurrë nuk ka qenë i zoti në tranzicion të ekipeve. Është trajner një-sezonal, apo ndoshta edhe disa javorë! Ashtu ka qenë gjithë jetën! Gjithashtu ka qenë i butë, i urtë, i sjellshëm! Dhe kjo nuk të shpaguhet për të mirë gjithmonë. Nganjëherë të kthehet edhe si bumerang, si tani!
Çfarëdo që të ndodh, Claudio Ranieri është një mrekulli-punues. Atë çfarë ka bërë me Leicesterin vjet, ajo do të mbetet në histori të këtij shekulli. S’do të jetë gjëja më e madhe sepse i kemi edhe 83 vite, por besoj që do të mbetet ndër mrekullitë më të këndshme, ndër tregimet më të bukura që do të përmenden në histori!
PARAMENDOJENI TË KUNDËRTËN
Sidoqoftë, largimi së paku për momentin po duket vendim i duhur. Nganjëherë gjërat nuk shkojnë, dhe është koha të gjithë të lëvizin në rrugët e tyre! Po ju tingëllon në një tregim ndarjeje? Edhe është! Është ndarje e mirë, e butë! Kjo pasi gjatë ndeshjes tifozët nisën të brohorisnin emrin e tij, e edhe pas ndeshjes, Shakespeare me qejf glorifikoi veprën e Ranierit!
Tekefundit, siç thotë Harvey Dent: “Ose vdes si hero, ose jeton tepër gjatë për tu bërë i urryer.” Pozita e Ranierit si trajner i Leicester ka mbaruar me atë si hero! Ai do të këndohet e do të kujtohet çdo herë nga të gjithë futbolldashësit për çfarë ka bërë tek Leicester. Paramendojeni po të binte Leicester nga liga, vet vepra e tij do të humbiste jehonën që ka!
Për këtë arsye shkarkimi i Ranierit është gjëja më e bukur që i ka ndodhur edhe vet atij. Pasi për një kohë do të mund të shndërrohej në një Wenger, i cili është kthyer në një emër të urryer nga gjysma e tifozëve të Arsenalit!