PARA NDESHJES: PRISHTINA-DRENICA
Prishtina e Drenica, në kërkim të fitores
3 March, 2017 @8:36
Sot nis xhiroja e XIX e Superligës së Kosovës në futboll, ndërsa dueli i parë i ditës është ndërmjet Prishtinës e Drenicës, që nis në ora 13:00.
Statistikisht, Prishtina në 5 ndeshjet e fundit kampionale ka vetëm një fitore dhe Lutz Lindemann kërkon që ekipi të ngritet në formë pikërisht sot, ndaj një Drenice, që në 5 ndeshjet e fundit kampionale, nuk ka shënuar fitore dhe do të ishte shumë e kënaqur edhe me një barazim.
Prishtina ka 36 pikë dhe po lufton ende për titull, derisa objektivi kryesor i kuqezinjëve nga Skenderaj mbetet që të mbijetojnë këtë stinor në Superligë.
Ajo që pritet të shihet në duelin e sotëm është përballja e mbrojtjes më të ngjeshur në Superligë, të Prishtinës dhe sulmit të rrezikshëm të Drenicës, ku Granit Arifaj dhe Kreshnik Lushtaku dihet se nuk falin para portës kundërshtare kudo që janë.
Ndeshja Prishtina-Drenica referohet nga Tefik Maloku kryesor dhe Alban Ejupi e Driton Preniqi, anësorë.