KOSOVË
Burokracia rrezikon 2 milionë € të UEFA-së
2 March, 2017 @20:03
Pas vonesave në punimet e stadiumit të Prishtinës dhe renovimit të stadiumit ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, për shkak të burokracisë probleme ka hasur edhe ndërtimi i qendrës sportive në Obiliq, projekt ky i cili është i mbështetur nga UEFA, e cila ka dhuruar 2 milionë euro. Projekti përfshin rregullimin e 3 fushave dhe pjesëve përcjellëse sipas standardeve evropiane.
Për shkak të vendit, që nuk është shpronësuar ende, ky projekt ka mbetur pa filluar që gati një vit, ndërsa zyrtarët e FFK-së kanë paralajmëruar që këto funde mund të humbin. Sipas zyrtarëve të FFK-së, paratë janë të gatshme, mirëpo për shkaqe ‘burokratike’ projekti ka ngecur dhe kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për futbollin e Kosovës dhe për qytetin e Obiliqit.
Komuna Obiliqit sipas kryetarit të saj ka kryer të veten dhe pret vendimin e Ministrive përkatëse për të vazhduar procesin.
Tash Obiliqi po pret të fuqizohet vendimi i Komunës nga Ministria e Pushtetit Lokal, para se Ministria e Financave të caktojë çmimin e pronës, e më pas Komuna e Obiliqit do të paguajë shumën në Agjencinë e Privatizimit, që të nis implementimi i projektit.
Të pyetur për këtë gjë, zyrtarët tregojnë që procesi është ‘në vazhdim e sipër’, ndërsa fondi prej 2 milionë eurove mund të humbet, nëse një zgjidhje e shpejt nuk krijohet.