MEDIA
Prodani: Shqipëria fiton 3-0
19 October, 2014 @20:17
Delegat i UEFA-së dhe drejtor i stadiumit Qemal Stafa, Eduard Prodani, gjatë një interviste me tiranasen Panorama Sport, ka thënë se Shqipëria do të duhej ta fitojë ndeshjen ndaj Serbisë 3-0, derisa Serbisë t’i suspendohet terreni vendas deri në fund të ciklit kualifikues për EURO 2016.
“Personalisht jam i mendimit që vendimet kryesore të Komisionit të Disciplinës së UEFA-s do të jenë që ndeshja të na jepet “forfeit”, pra ta fitojmë ne në tavolinë 3-0 dhe Federata Serbe të dënohet që të paktën ndeshjet e mbetura të këtij kompeticioni t’i luajë pa spektatorë ose jashtë Serbisë,” është cituar të ketë thënë ai për tiranasen në fjalë.
Për më tepër, ai ka thënë se kuqezinjtë kanë argumente të mjaftueshme për të kundërshtuar akuzat që u ngritën nga UEFA-ja për Shqipërinë.
“Për federatën tonë, çështja disiplinore është hapur, bazuar në nenin 27 të Rregullores së Kampionatit Europian 2014-2016 dhe në nenin 16 të Kodit të Disiplinës. Këto nene përcaktojnë përkatësisht përgjegjësinë e një federate që refuzon të luajë dhe përgjegjësinë po të federatës kur tifozët mbështetës kryejnë veprime në shkelje të rregulloreve. Së pari, mendoj se federata jonë ka në dispozicion shumë argumente dhe fakte për të kundërshtuar fajësinë për të dyja këto shkelje të supozuara,” ka thënë mes tjerash Prodani gjatë intervistës së tij, transmeton gazeta në fjalë.
Prodani, më parë ka punuar edhe si Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe është njohës i mirë i Rregulloreve të UEFA-së.