RAHOVECI 2-0 LIRIA
Rahoveci ilaç për Lirinë
19 August, 2022 @21:00
Skuadra e Rahovecit në stinorin e kaluar 2021/22 kishte ardhur në Ligë të Parë të Kosovës nga Liga e Dytë. Dhe, me lojëra të mira siguroi mbijetesën, që e kishte synim primar.
Ndër fitoret e shënuara, më të mëdha të stinorit, ata e kishin ndaj Lirisë, që i mposhtën në Jahja Danuza 6-1! Stinori i ri, Rahoveci përsëri mposht Lirinë, kësaj radhe në nismë të stinorit 2022/23 për të marrë tri pikë të vlefshme dhe për mbarësi.
Rahoveci mposhti Lirinë 2-0 [Miler Blesa 27’, 89’] me anë të golave të shënuara nga Miler Blesa, ku të parin ia asistoi Liman Morina, ndërsa të dytin Halifa Kujabi!
Liria pati rastet e veta, por jo sa për të tundur rrjetën e portës së vendasve, që sot kishin përkrahje të madhe në tribunat e stadiumit të tyre nga tifozëria vendase.
E lojtarët nuk kanë mundur të bëjnë start më të mirë, por edhe dhuratë më të mirë për trajnerin e tyre Senad Alirifa, i cili në minutën e dhjetë të ndeshjes mori lajmin se ishte bërë baba për herë të dytë.
TABELA AKTUALE E LIGËS SË PARË
Në anën tjetër, sipas përshkrimit të faqes zyrtare të Lirisë, trajneri i tyre Xhengis Rexhepi, që debutoi në ndeshje zyrtare me ekipin dhe e nisi me humbje, ka theksuar se ka nevojë edhe shumëçka për të përmirësuar në lojën e ekipit.
Derisa Rahoveci në përballjen e radhës i shkon Istogut në Demush Mavraj, Liria do të jetë përsëri mysafire, kësaj radhe në Gllogoc, ku do të ndeshet me Drenasin.