UEFA
Rashica, wonderkid i Euro2016
16 April, 2016 @11:10
Pak para Euro2016, faqja zyrtare e UEFA-së çdo javë e zgjedh një talent, të cilin e përshkruan dhe e parashikon si një ‘wonderkid’ të kampionatit evropian. Këtë javë radhën e kishte Milot Rashica.
“Ai është një fitues dhe ai e di se çfarë do. Dhe ai do që të jetë pjesë e Kombëtares Shqiptare në Euro2016.” - u shpreh Rob Maas, kryetrajner i Vitesses, skuadër në të cilën luan Milot Rashica. Talenti shqiptar, i cili do të mbushë 20 vjet në muajin qershor, në sezonin debutues për Vitessen në Ligën Holandeze ka zhvilluar një sezon shumë të mirë dhe ishte anëtar i padiskutueshëm i skuadrës startuese të Vitesses.
Ndërsa i pyetur për Rashicën, Gianni De Biasi u shpreh:
“Rashica është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ai ka potencial dhe një teknikë impresionuese. Do ta përcjellim ecurinë e tij. Nuk mund të them nëse është i gatshëm për Euro2016 apo për ‘Projektin drejt Rusisë 2018’, mirëpo nëse ai vazhdon me paraqitje të mira tek Vitesse, do të jetë një pjesë e rëndësishme edhe e Kombëtares Shqiptare.”
I lindur në Kosovë, Milot Rashica debutoi për skuadrën e Vushtrrisë në moshën 16-vjeçare ndërsa kontrata me Vitessen u arrit në korrik të vitit 2015, pasi lojtari në fjalë i kaloi provat me sukses.
Rashica ishte pjesë e skuadrave zinxhirë të kombëtares së Shqipërisë që nga grupmoshat U17, për të vazhduar pastaj me U19 e U21 ndërsa debutimi me skuadrën seniore erdhi muajin e kaluar në miqësoren ndaj Luksemburgut.
Për fansat e Vitesses, Milot Rashica është një futbollist i cili argëton tifozët me driblimet e tij, të djathtën efikase dhe shpejtësinë e tij. Rashica këtë sezon ka shënuar 7 gola në 27 paraqitje në ligën holandeze.
Idolli i Milot Rashicës është Cristiano Ronaldo dhe shpesh ai tenton t’i imitojë lëvizjet e portugezit, ndërsa nga mediat ditë më parë ai u quajt edhe “Neymari shqiptar”.
Ëndrra e lojtarit vazhdon të mbetet ftesa e Di Biasit për Euro2016 dhe për këtë gjë ai u shpreh:
“Kur pranoj topin, gjithmonë shikoj përpara. Kur ndodhem para zonës, gjithmonë tentoj ta përdori më së miri teknikën dhe shpejtësinë që e posedoj. Ëndrra ime është që të jem me Shqipërinë në Euro2016 dhe të përformoj mirë atje.”
Se a do të ftohet nga De Biasi këtë vit, mbetet të shihet.