5 PËR FUNDJAVË
Leicester, Barcelona, Napoli…
Shkruan: Luan MORINA
15 April, 2016 @22:26
1. Chelsea – Manchester City (e shtunë, ora 6e30)
Vitin e kaluar do të ishte luftë për titull. Edhe këtë vit do të duhej të ishte ashtu, por gjërat kanë ndryshuar. Këto dy skuadra as nuk kanë ndonjë rivalitet të caktuar, me histori. Chelsea është në një sezon për të harruar, dhe kur e shohim se kush vjen vitin e kaluar, dyshoj që sezoni tjetër do të jetë më i mirë. Ndërkohë Pellegrini me shumë mençuri është përqendruar vetëm në Ligën e Kampionëve duke mos tentuar as pozitën e katërt në Premier League. Mungesat e Kompanys dhe Yaya Toure sigurisht që lëndojnë mysafirët.
2. Leicester City – West Ham (e diel, ora 2e30)
Se as fati nuk është kundër Leicester e pamë javën e kaluar. Përkundër shumë shanseve të humbur, fati nuk i dënoi ata. Përkundrazi, Vardy mbylli gjithçka pak para fundit. Duket se lojtarët e Ranierit sikur me zor, me atomet e fundit po i shtyjnë këto javë të mbetura. Karakteri i tyre është sprovuar shpesh herë, por nuk kanë dështuar. Tani ju nevojitet vetëm pjesa fizike për të mbyllur atë që do të ishte njëri nga tregimet më të bukura në futboll viteve të fundit. Ndërkohë Hammers zor se mund të përballojnë edhe një paraqitje të mirë sikur javën e kaluar, sidomos pas dështimit në mesjavë.
3. Bayern – Schalke (e shtunë, ora 6e30)
Schalke ka nevojë më shumë për pikë, por nuk ka ekip që do të përballonte Bayernin. Bavarezët nuk janë aq dominues sa sezonin e kaluar, apo edhe vjeshtën e kaluar, megjithatë po arrijnë të nxjerrin rezultatet që ju duhen. Fitorja kundër Schalkes nuk është imperativ, por për një pranverë me më pak gajle në Bundesligë, do të ishte e mirëseardhur.
4. Barcelona – Valencia (e diel, ora 8e30)
Shanset që Barcelona të humb titullin mendoj që janë minimale. Javët e fundit kanë dëshmuar që Barcelona nuk është edhe aq dominuese siç e bëjnë kryesisht fansat e tyre. Atletico kishte merituar të fitonte edhe ndeshjen e parë. fitorja e Sociedad ishte befasi, por Valencia duke pasur parasysh gjithçka që ka ndodhur me ta këtë sezon, e ka mision të pamundur të fitoj në Nou Camp. Edhe format e këqija kanë kufij.
5. Inter – Napoli (e shtunë, ora 15n9)
Këto dy skuadra do të duhej të ishin shumë më afër në renditje. Faji për këtë i bie Mancinit. Interi ka skuadrën të dytë më të shtrenjtë në Serie A. As investimet në transferime nuk kanë munguar. Vetëm rezultatet, dhe loja e bukur për sy nuk kanë qenë tek ta. Rënia e Napolit është normale për mendimin tim, kur shohim gjerësinë e skuadrës që kanë në pozita kyçe. Megjithatë luajnë një futboll ofensiv dhe mbi të gjitha janë të mësuar të fitojnë në San Siro, edhe atë me rezultat të thellë.