KOMUNIKATA SHQIPTARE
Reagon FSHF-ja
16 October, 2014 @10:57
Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar ndaj ngjarjeve në ndeshjen e ndërprerë, Serbi-Shqipëri.
Duke e arsyetuar vonesën e komunikatës si pritje për qetësimit të publikut dhe mosndikim të emocioneve, FSHF ka dhënë disa detaje tjera të sulmeve, provokimeve dhe ngjarjeve tjera që u ka ndodhur para, gjatë dhe pas ndeshjes.
“Shqipërisë i është goditur autobusi me gurë nga tifozët serb, saktësisht tre gurë, delegacioni shqiptar para fillimit të ndeshjes ka pësuar nga një copë betoni që është hudhur në drejtim të tyre dhe është marrë nga delegati i UEFA-së. Breshëria e monedhave dhe shkrepëseve të hudhura, fyerjet në kor “vritni shqiptarët” dhe “vdekje shqiptarëve”, gjatë rrugës që çon në tunelin e dhomave të zhveshjes futbollistët janë goditur vazhdimisht nga tifozë, forca të sigurisë në stadium dhe policë, kontrolli fizik nga policia me urdhër nga Prokuroria e Beogradit,” janë cekur, ndër të tjera, si pikat e shqetësuese dhe provokative nga FSHF-ja në komunikatë, që kanë sjellë deri te polarizimi i tifozërisë serbe dhe nuk kanë lejuar ndeshjen të zhvillohet në kushte normale.
Si epilog i komunikatës thuhet që: “FSHF është e mendimit se të gjitha veprimet e renditura me lart, nuk i kane shërbyer mbarëvajtjes dhe zhvillimit normal të ndeshjes, e cila nuk arriti të përfundonte. FSHF mendon, se rrethanat dhe mënyra e administrimit të situatave të veçanta nuk kanë të bëjnë me tifozët shqiptarë, sepse ata nuk ishin të pranishëm në stadium. Çdo nxitim për të gjetur fajtorë pa përfunduar hetimi i plotë dhe paanshëm nuk është në dobi të futbollit.”