BALLKANI

Refuzohet ankesa e Ballkanit për dënimin mijëra euroshe
7 May, 2021 @16:28
Vendimi i Komisionit Disiplinor për ta dënuar skuadrën e KF Ballkanit si pasojë e deklaratave ofenduese drejtuar organeve të FFK-së gjobë prej 2,000 euro, nuk ka ndryshuar edhe pas ankesës së suharekasve në shkallën e dytë te Komisioni për Ankesa.
Në mbledhjen e mbajtur sot të këtij Komisioni është marrë vendim që vendimi i shkallës së parë të mbetet në fuqi.
“Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë, bazuar në ankesën e KF “Ballkani“ , materialet dhe provat e disponuara ka konstatuar se vendimi i Komisionit Disiplinor i shkallës së parë i datës 30.04.2021 është i drejtë dhe si rrjedhojë mbetet në fuqi, për faktin se sipas nenit 38 , neni 8 pika 4 /C dhe nenit 10 paragrafi 1pika D i Rregullores disiplinore parashihet se për kundërvajtje klubet e Superligës mund të dënohen më të holla jo më pak se 1.000 euro dhe as më shumë 10.000 euro.
Në rastin konkret Komisioni Disiplinor –shkalla e parë, konsiderojmë se me të drejtë e ka caktuar shkallën e dënimit”, thuhet në vendimin e Komisionit për Ankesa.
KF Ballkani si palë e pakënaqur nga ky vendim i shkallës së dytë, ka të drejtë ankese tek Komitetit Ekzekutiv i FFK-së.