Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ANALIZË

Rendi i ri i kosovarëve në garat e UEFA-s

Rendi i ri i kosovarëve në garat e UEFA-s


Shkruan: Luan Morina

8 August, 2020 @12:46

Sezoni që do të nisë në vjeshtë, do të jetë i fundit për ekipet kosovare në EL!


Me fillimin e garës së tretë evropiane në futboll ekipor, ekipet kosovare do të zhvendosen në Conference League, që do të jetë niveli i tretë i garave për nga suksesi.
Dhe, për më tepër do të jenë tri ekipe kosovare në këtë garë.

Pra, nga Superliga e Kosovës, në sezonin 2021-22, në garat evropiane do të kualifikohen dy ekipet e para në renditje si dhe fituesi i Kupës së Kosovës. Nëse fituesi i Kupës, është pjesë e dy ekipeve të para në renditje, atëherë ekipi i renditur në pozitën e tretë do të sigurojë pjesëmarrjen në kualifikimet për Conference League.

Pastaj, në sezonin 2022-23, në garat evropiane do të kualifikohen tri ekipet e para në renditje si dhe fituesi i Kupës së Kosovës. Nëse fituesi i Kupës, është pjesë e tri ekipeve të para në renditje, atëherë ekipi i renditur në pozitën e katërt do të sigurojë pjesëmarrjen në kualifikimet për Conference League.

Kualifikimi për fazën grupore do të vazhdojë të mbetet mision i pamundur së paku deri në edicionin në 2024-25! Pse?

Të tri ekipet tona në Conference League do të nisin garat në rrethin e parë kualifikues, nga katër sa do të jenë.

Qysh në rrethin e parë, ne do të përballemi me ekipe nga Hungaria e Polonia, më saktë me fituesit e kupave dhe nënkampionët e këtyre vendeve. Kjo për arsye që ekipet tona do të mbeten në vazon e ekipeve jo-bartëse, për shkak të suksesit individual të tyre në garat Evropiane.

Derisa koeficienti total i ekipeve kosovare përcakton sa ekipe do të shkojnë nga Kosova në Evropë, ndarjen në bartës dhe jo-bartës, e përcakton koeficienti individual i ekipeve të përfshira në rrethin në fjalë.

Pra, ekipet tona mund të jenë inferiore, jo-bartëse edhe ndaj një ekipi të San Marinos, nëse ky ka pasur pjesëmarrje të rregullt dhe rezultate pozitive në garat evropiane në vitet paraprake.

Pas rrethit të parë, kualiteti i ekipeve vetëm sa do të shkojë duke u ngritur, deri kur në play-offs angazhohen të gjashtat e katër ligave kryesore të Evropës – Anglia, Spanja, Gjermania, Italia.

Ndarja ndërmjet ekipit të pestë që shkon në EL dhe të gjashtit në Conference League, do të mund të shtojë luftën edhe në këto ligat kryesore evropiane, pasi do të ketë dallim rangu, jo sikur tani kur të dyja shkonin në EL, por në faza të ndryshme.

Numri i ekipeve kosovare në Conference League shtohet në katër varësisht se sa rrethe kualifikimesh kalon kampioni në Champions League..

Ta kemi parasysh, Drita sot luan në garat preliminare, derisa pas vitit të ardhshëm, në këtë turne, me shumë gjasë ne nuk do të marrim pjesë, pasi do të kualifikohemi direkt në rrethin e parë kualifikues.

a

Kampionit tonë do t’i duhet një kalim rrethi në kualifikimet për CHL që të vazhdojë garat në kualifikimet për EL League. Nëse eliminohet në rrethin e dytë, vazhdon kualifikimet për EL në rrethin e tretë; nëse eliminohet në rrethin e tretë në kualifikimet për CHL, vazhdon në rrethi ne katërt të kualifikimeve për EL; dhe nëse eliminohet në rrethin e fundit të kualifikimeve për CHL, shkon direkt në fazën e grupeve të EL.

Dy sezone për mësysh, i pari për tu harruar


Pjesëmarrja në turneun preliminar ka ndihmuar ekipet tona të mbledhin pikë të vlefshme për neve në këto dy sezonet e fundit.

UEFA llogarit pesë sezonet e fundit, të cilat vlejnë për sezonin pasardhës, duke kërcyer sezonin aktual. Pra, suksesi i ekipeve tona këtë sezon në garat evropiane do të reflektohet në dy sezone më vonë!

Nëse llogariten sezonet që kur ekipet kosovare kanë marrë pjesë në Evropë, Kosova renditet e 37ta në listën e UEFA-s prej 55 ekipeve.

Nga ekipet ballkanike lëmë mbrapa Bosnjë e Hercegovinën (e 40ta), Shqipërinë, Maqedoninë Veriore, dhe Malin e Zi, që renditen në pozitat 51-53.

Katër ekipe kosovare në Evropë nga sezoni 2021-22 i Superligës, do të shkojnë edhe nëse ne nuk shënojmë suksese* këtë sezon në garat evropiane.

Por, duhet të kemi sytë kah Estonia, Mali i Zi, Gjibraltari, e Ishujt Faro. Këta të fundit janë pas nesh në renditje, por janë një fitore afër, e edhe Andorra ka pasur goxha sukses në Evropë sezonin e kaluar.

Kështu që, fitorja e Dritës në turneun në Nyon është vitale, sepse na mundëson të eliminojmë dy nga konkurrentët kryesor për të siguruar ekipin e katërt në Evropë! Ne guxojmë të mposhtemi vetëm nga San Marino, në finale të këtij turneu!

Do të ishte e turpshme për Dritën, gjithçka pos fitimit të turneut!


Sezonin e kaluar, Feronikeli me dy fitore e një barazi, i ka siguruar Kosovës 90% të pikëve. Koeficienti i Feronikelit në Evropë, nga vetëm një sezon është 2.5, i Prishtinës 0.5.

Në sezonin e dytë në Evropë, Prishtina dhe Drita kanë pasur të njëjtin koeficient të siguruar 2.5, derisa Kosova ka marrë vetëm 2.5 pikë, nga 3 sa mori sezonin e kaluar.

a

Në sezonin e parë në Evropë, Trepça 89 në Ligën e Kampionëve dhe Prishtina në Europa League, nuk kanë marrë asnjë pikë.

Nga ekipet tona në Evropë, deri tani Prishtina ka 3.0 koeficient nga tri pjesëmarrje, Drita ka 2.5, Feronikeli 2.5, Trepça’89 - 0.

Për shkak të llogaritjes së suksesit edhe nga kampionatet vendore, koeficienti i Prishtinës në rrethin para-eliminator të EL është 1.750, që e lë jashtë pozitës së bartësve këtë sezon për 0.250 pikë. Gjilani që debuton në Evropë e ka 0.800.

Drita në Ligën e Kampionëve e nis me koeficient 1.500, derisa Dinamo e Tbilist që është bartëse ka 4.750.

Megjithatë, pjesëmarrja në Evropë e vë dritën para Tiranës e Sileksit, dy kampionët fqinjë që kanë 1.475 pikë koeficient.

Pozita e bartësve këtë sezon nuk merret parasysh në lidhje me terrenin vendas, pasi shorti do ta vendos se ku do të luhet ndeshja e vetme e rrethit përkatës.

Kalimi i një rrethi do të duhet të ishte imperativ për ekipet tona. Nëse nuk arrijnë kalimin e rrethit, rezultati pozitiv, qoftë barazim që sjellë 0.5 pikë në koeficient, ose fitore që sjellë 1 pikë koeficient do t’i duheshin edhe ekipit, edhe Superligës së Kosovës.

Meritat mund t’i merr kush të do pastaj, edhe ‘presidentët legjendar’, po meritat e vetme vijnë vetëm në bazë të suksesit në fushë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga